Lajme

Ish-punonjësi i Twitter-it shpallet fajtor për spiunazh


Ish-punonjësi i Twitter-it, Ahmad Abuammo, u shpall fajtor për spiunazh për qeverinë e Arabisë Saudite.

Juria mori vendimin e saj në gjykatën federale të San Francisco-s të martën e 9 gushtit.

Abuammo u dënua gjithashtu për komplot për mashtrim, pastrim parash dhe falsifikim të të dhënave.

Lajmi u bë i ditur nga kompania “Bloomberg”.

Abuammo më parë ka punuar në Twitter si menaxher i partneriteteve mediatike dhe ka ndihmuar figura të shquara nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut të promovojnë adresat e tyre.

Megjithatë, ai përdori pozicionin e tij për të fituar akses në adresat e email-it, numrat e telefonit dhe datat e lindjes së përdoruesve kritikë ndaj qeverisë saudite.

Abuammo më pas ua kaloi këtë informacion zyrtarëve sauditë midis nëntorit të vitit 2014 dhe majit të vitit 2015 dhe mori një shpërblim në këmbim.

Në vitin 2019, Departamenti Amerikan i Drejtësisë akuzoi Abuammo-n dhe një tjetër ish-punonjës të Twitter, Ali Alzabara, për spiunazh.

Agjencia më vonë i zgjeroi ato akuza në vitin 2020 për të përfshirë një person të tretë, Ahmed Almutairi, i cili dyshohet se koordinoi skemën.

Si Almutairi ashtu edhe Alzabara kërkohen nga qeveria amerikane.

Në lidhje me aktivitetet kriminale të individëve të lartpërmendur, aktivisti i të drejtave të njeriut Ali Al-Ahmed paditi Twitter-in vitin e kaluar, duke pretenduar se platforma mund të kishte bërë më shumë për të mbrojtur informacionin e tij.

Sipas Bloomberg, prokurorët akuzuan Abuammo-n se punonte me një ndihmës të Mohammed bin Salman, princit të kurorës së Arabisë Saudite, për të shtypur disidentët.

Abuammo pretendon se ai thjesht po bënte punën e tij dhe akuzon Twitter-in për dështimin në mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve.

Abuammo tani përballet me 10 deri në 20 vjet burg. Twitter nuk pranoi të komentojë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore