Lajme

Ish-presidenti i Serbisë: Kurti dhe Vuçiç janë jashtëzakonisht të dobishëm për njëri-tjetrin


Boris Tadiç

Situata e përshkallëzuar në Veri të Kosovës, beson ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, tashmë kryetari i Partisë Socialdemokrate, i shkon përshtati edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit edhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç-it.

Për të është e qartë se Kurti dhe Vuçiç si dy populistë po ushqehen nga krizat dhe se në këso situata të dy liderët “janë jashtëzakonisht të dobishëm për njëri-tjetrin”.

“Kur policia speciale e Kosovës ‘pushton’ veriun, Vuçiç e përdor atë si justifikim për të thënë: ‘Mos protestoni në Beograd’… E njëjta gjë vlen edhe për Kurtin, i cili është duke u përpjekur të ruajë kohezionin e elektoratit të tij. Ne kemi dy politika që kanë një pikë kontakti, përkundër faktit se në dukje janë të kundërta, ato në fakt korrespondojnë me njëra-tjetrën për kohezionin e brendshëm”, ka potencuar politikani serb, transmeton mediumi opozitar serb, Danas.

Tadiç ka theksuar gjithashtu se situata e tensionuar në Veri të Kosovës në të njëjtën kohë po dobëson pozitën edhe të Kosovës dhe të Serbisë në terma afatgjatë kur në pyetje është procesi i dialogut.

“Kur komuniteti ndërkombëtar të humbasë durimin, do të imponojë një zgjidhje që në fund nuk do t’i përshtatet askujt. Unë i dëgjoj fjalët e përfaqësuesve ndërkombëtarë, ata janë të gjithë të pakënaqur me mënyrën se si po shkojnë gjërat”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore