Lajme

Ish-polici Pantiç edhe dy muaj në arrest shtëpiak


Gjykata Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, ia ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak edhe për 2 muaj të tjerë ish policit të Kosovës, Dejan Pantiç.

Kështu ka konfirmuar Ljubomir Pantoviç, avokat mbrojtës i Pantiç për portalin në gjuhën serbe në Kosovë “KoSSev”.

Pantiç ishte pjesë e Policisë së Kosovës deri në nëntor të vitit të kaluar, kur braktisën institucionet së bashku me serbët tjerë në veri të Kosovës.

Ai u arrestua një muaj më vonë, në dhjetor, në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, ndërsa akuzohet për “terrorizëm në bashkëkryerje”.

Më 12 dhjetor, atij iu caktua masa e paraburgimit dhe deri më 28 dhjetor ai qëndroi në objektin policor në Jarinjë, pa pasur mundësi që të dërgohet në qendër të paraburgimit.

Atij më pas, për shkaqe shëndetësore, iu ndryshua masa e sigurisë – nga paraburgim në arrest shtëpiak.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke u bazuar në aspektin shëndetësor dhe njëkohësisht aspektin human i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, zëvendësimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Pantiç, pasi që i njëjti ishte në pamundësi t’i gëzojë të drejtat që ju takojnë të paraburgosurve në qendrat e paraburgimit”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Ai akuzohet për sulm ndaj zyrtarëve policorë dhe ka organizuar sulm terrorist ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Çfarë ndodhi në veri pas arrestimit të dejan Pantiç?

Situata e tensionuar në Veri të Kosovës që nga muaji nëntor është përshkallëzuar pas arrestimit të ish-policit me kombësi serbe, Dejan Pantiç, i cili dyshohet për sulmin e 6 dhjetorit në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Veri.

Ai ishte larguar nga radhët e policisë bashkë me afër 600 të tjerë meqë kolektivisht vendosën ta braktisin forcën policore me urdhër politik të Listës Serbe për të lëshuar institucionet në të gjitha nivelet.

Për të kundërshtuar arrestimin e tij, grupe të qytetarëve serbë në Veri ngritën barrikada qysh më 10 dhjetor.

Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë këto dy pika janë mbyllur për qarkullim.

Edhe pse institucionet e Kosovës thanë se kanë kapacitete për largimin e barrikadave të ngritura në Veri, ata shtuan se i kanë dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i largojë vetë ato.

Kjo krizë ka bllokuar edhe dialogun në Bruksel, i cili u duk se po futej në një fazë përfundimtare me propozimin franko-gjerman.

Aktualisht në Veri forca patrulluese është KFOR-i, derisa policia e Kosovës nuk mund të lëvizë vetë në vende të ndryshme pa asistencën e KFOR-it.

Për pasojë edhe një grup policësh mbetën të bllokuar në pikat kufitare në Veri për 14 ditë, derisa KFOR dhe EULEX ndihmuan zëvendësimin e tyre.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore