Lajme

Ish-negociatorët e Marrëveshjes së vitit 2013 – Asgjë e re me planin franko-gjerman, është marrëveshje e njëjtë me atë të para 10 vjetësh


Foto nga Albanian Post

Në vitin 2013 Kosova dhe Serbia nënshkruan në Bruksel një Marrëveshje për normalizim të raporteve.

Në atë marrëveshje, pos tjerave, thuhej se Kosova duhet ta formojë një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, të integrojë strukturat paralele, shtetet nuk duhet ta pengojnë njëra tjetrën në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe pika të ngjashme.

Me 27 shkurt, pas 10 vjetësh, Kosova dhe Serbia janë prapë para një dokumenti që tenton të kthehet në marrëveshje për normalizim dhe prapë ky dokument kërkon formim të Asociacionit, mospnegim të dy shteteve në rrugëtimet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe të tjera si këto.

Momenti i marreveshjes ne vitin 2013, Ivica Dacic, baronesha Catherine Ashton dhe Hashim Thaci

Meqë nuk e ka njohjen reciproke brenda as kjo marrëveshje, ish-dialoguesit në Bruksel në vitin 2013, thonë për Albanian Post se në fakt një dekadë prapa, asgjë e re s’po nënshkruhet në Bruksel dhe marrëveshja është pothuajse e njëjta.

“Po vërtetohet se marrëveshja e 2013-së ishte më e rëndësishme në kuadër të procesit të shtetndërtimit”, thotë Bekim Çollaku që në vitin 2013 ishte këshilltar i kryeministrit, Hashim Thaçi.

Sa për “njohjen de facto” që kryeministri Kurti thotë se e ka plani franko-gjerman brenda, Çollaku deklaron se “padyshim që edhe marrëveshja e vitit 2013 ka qenë në atë periudhë njohje ‘de facto’ nga Serbia”.

“Tani çfarë po ndodh në proces, është një riciklim i krejt asaj çfarë ka ndodhur më parë. Kjo në fakt është dështim dhe kthim prapa, sepse në këtë fazë, çdo marrëveshje e cila nuk është përfundimtare, e cila nuk e ka në thelb njohjen reciproke, nuk ka karakter ligjor obligues, do të prodhoj vetëm një ‘status quo’ të re dhe asgjë më shumë. Në këtë fazë, Kosova e ka jetike që të siguroj njohjen ‘de jure’ nga Serbia dhe të arrij normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë”, thotë Çollaku për Albanian Post.

Çollaku që një kohë ka qenë edhe ministër i Integrimeve, thekson se “ata të cilët para një dekadë kanë akuzuar se njohja ‘de facto’ nuk është e mjaftueshme, tani po mundohen që një marrëveshje të keqe të cilën e kanë pranuar, t’ia prezantojnë opinionit publik si njohje ‘de facto’”.

“Një gjë të tillë nuk e besojnë as vetë këta që sot udhëheqin procesin, e lerë më opinioni publik në Kosovë”, potencon ai.

Bekim Çollaku

Ai ka listuar edhe rezultatet e dakordancës së Brukselit mes Prishtinës dhe Beogradit, teksa shpjegon se objektiva primare e asaj marrëveshje ka qenë zhbërja e strukturave paralele të sigurisë që financoheshin nga Serbia, por edhe vendosja e sundimit të rëndit dhe ligjit, kontrolli shtetëror në pikat doganore dhe integrimi i përfaqësuesve të komunitetit serb që jeton në veri të vendit brenda institucioneve shtetërore.

“Për më tepër, Serbia ishte pajtuar që nuk do ta bllokonte Kosovën në rrugëtimin drejt integrimit në BE. Si rrjedhojë, Kosova ka negociuar dhe nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe ka përmbyllur procesin e liberalizimit duke e marrë rekomandimin pozitiv nga Komisioni Evropian në vitin 2016”.

Edhe Fisnik Rexhepi, ish-këshilltari politik i ish-kyrenegociatores së Kosovës, Edita Tahirit, shprehet skeptik për marrëveshjen që ka për bazë propozimin franko-gjerman.

Rexhepi kujton se marrëveshja e vitit 2013 është e emërtuar si marrëveshja e parë e parimeve për normalizimin e marrëdhënieve, pikërisht për faktin sepse nuk ka qenë njohja formale në të.

“Në atë kohë te gjitha pritjet kanë qenë se marrëveshja e prillit 2013 do të pasohet nga marrëveshja e radhës, ligjërisht e obligueshme, me njohje formale dhe ratifikim te saj nga të dy parlamentet respektive. Fatkeqësisht me planin franko-gjerman një gjë e tillë nuk po ndodhë, por vazhdohet prapë me një marrëveshje të re pa njohje reciproke, e cila përsëri lejon struktura paralele në terren”, vuri në pah Rexhepi për Albanian Post.

Pos kësaj, ai “ngre alarmin” se nuk përmban obligim për palën serbe për të larguar Kosovën nga Kushtetuta e Serbisë dhe mbi të gjitha nuk i zgjidh problemet reale mes Kosovës dhe Serbisë e që lidhen me njohjen reciproke dhe mos-ndërhyrjet në çështjet e brendshme të njëra-tjetrës.

“Konsideroj se plani franko-gjerman në përmbajtje është një marrëveshje e dytë, por jo finale. Dhe mbase kjo do të mund të kishte kuptim të ndodhte pak kohë pas marrëveshjes së parë të vitit 2013, por asesi pas 10 viteve ashtu sikurse po ndodh tani”, theksoi Rexhepi.

Fisnik Rexhepi

“Në këtë kontekst, druhem se si e tillë marrëveshja eventuale sipas planit franko-gjerman, do ta shtyjë për një dekadë tjetër çështjen e njohjes reciproke dhe kjo është gjëja me e keqe që ka mundur t’i ndodhë procesit të filluar qysh në vitin 2011. Megjithatë, për dallim prej stagnimit total në Dialog dhe nulifikimit të rezultateve të arritura në kuadër të procesit të mëhershëm, kjo mund të konsiderohet një lëvizje e rëndësishme. Mbase më e rëndësishme është për palën e tretë (SHBA dhe BE) e cila dëshiron të dërgoj një mesazh të qartë te Rusia se ndikimi i saj në Ballkan po minimizohet”, thotë Rexhepi.

Por, ai mendon po ashtu se impakti i marrëveshjes sipas propozimit franko-gjerman në praktikë qoftë në konsolidimin e brendshëm dhe mbi të gjitha në avancimin e subjektiviteti ndërkombëtar do të jetë i vogël.

Tash sipas Rexhepit që ishte edhe kryesues i ekipit te eksperteve për marrëveshjen e IBM-it (Ndërtimi i pikë-kalimeve të përhershme kufitare mes Kosovës dhe Serbisë), në një situatë të tillë, padyshim se Serbia do të provoj që kthimin e gjendjes paraprake në terren ta paraqes si koncesion dhe akt të vullnetit të mirë.

“Dialogu paraprak sidomos kishte arritur në nivelin e tillë që do të duhej të përmbyllej me njohje formal. Për referencë i keni letrat e Presidentit amerikan. Fatkeqësisht, për shkak të zhvillimeve tjera politike dhe të sigurisë në rrafshin ndërkombëtar por edhe qasjes strategjikisht të gabueshme në dialog, konsideroj se e kemi humbur atë momentum dhe tani duhet pritur që një gjë e tillë të ndodhë në një kontekst më të përshtatshëm dhe afatgjatë”.

Megjithatë, Rexhepi sqaron se një lëvizje pozitive nga marrëveshja e vitit 2013, ndërlidhet me faktin se plani franko-gjerman e parasheh mos-pengimin e njëra-tjetrës në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

“Siç e dini, marrëveshja e vitit 2013 i referohej vetëm rrugëtimit për integrim evropian. Në anën tjetër, këtij formulimi, në planin franko-gjerman i mungon referenca që palët nuk do t’i inkurajojnë palët e treta që ta pengojnë njëra-tjetrën në anëtarësime. Dhe në këtë rrafsh, dihet se Serbia ka koordinim me Rusinë për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe agjencitë e specializuara. Përkundër faktit se është humbur mundësia për të arritur një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër, së paku për një periudhe disa vjeçare, megjithatë kjo marrëveshje mund të konsiderohet një lëvizje pozitive nga shtangimi disavjeçar në dialog”, tha ai.

Por edhe nëse do arrihej marrëveshja më 27 shkurt, Rexhepi është pesimist se Serbia do ta respektoj, meqë potencon se “Serbia është më shumë e interesuar të fitoj kohë në pritje të epilogut të luftës në Ukrainë dhe që t’i zbutet trysnia për shkak të mos vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë”.

Ekskluzive: Çfarë do të ndodhë në takimin e 27 shkurtit në Bruksel…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore