Lajme

Ish-ministri i Jashtëm dhe opinionistët analizojnë për Albanian Post vizitën e Scholz në Kosovë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kancelari gjerman Olaf Scholz. Foto: Associated Press.

Procesi i Berlinit, Open Balkan, vizat, dialogu me epilog njohjen, tregu i përbashkët mes Gjermanisë dhe Kosovës, ishin temat kryesore në takimin e zhvilluar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, të premten e 10 qershorit.

Për Kosovën, ky takim përcolli mesazhe mjaft pozitive, kështu vlerëson ish ministri i punëve të jashtme Enver Hoxhaj, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post.

“Qëndrimi i kancelarit Olaf Scholz, sa i përket qëllimit të dialogut që përfundon me njohje të ndërsjellët, mbështetjen për liberalizimin e vizave dhe bashkëpunimin rajonal, flasin për një moment kthese”, thotë Hoxhaj për AP.

Enver Hoxhaj, ish minister i Puneve te Jashtme te Kosoves

Ai kërkon nga institucionet që të angazhohen në këtë situatë akoma më shumë, sepse mund të përfitojnë.

“Kjo situatë duhet të shfrytëzohet nga Kosova për të mbyll shtetndërtimin, anëtarësimin e Kosovës në NATO, Këshillin e Evropës dhe për të përshpejtuar agjendën evropiane”.

Por, Hoxhaj shprehet skeptik se kjo do të ndodh.

“Kjo është situatë që do të duhej përdorur mirë dhe në mënyrë strategjike! Pritjet e mija që kjo do të ndodh janë zero”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.
Kosova mund të përfitoj pas takimit me Scholz

Edhe, Arber Fetahu, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), në një përgjigje me shkrim për Albanian Post vlerëson se nga ky takim kanë dalur mesazhe pozitive.

“Progresi në dialog dhe përfundimi i tij me njohje të të dyja vendeve mes vete (Kosovës dhe Serbisë)  është një mesazh i rëndësishëm prej të cilit mund të përfitoj edhe Kosova. Ky mesazh merr rëndësi më të madhe marrë parasysh që Gjermania shumë më hapur se më parë po e specifikon njohjen si rezultat kyç të dialogut”, thotë Fetahu për AP.

Arber Fetahu

Sa i përket deklaratës ndaj liberalizimit të vizave, si njohës i çështjeve politike ai konsideron se Gjermania mund ta shtyjë përpara, por që nuk është i tërë procesi në dorë të këtij shteti.

“Qartë u tha që Kosovës duhet t’i hiqen vizat. Kjo deklaratë duhet marrë me rezerva pasi që vendimmarrja në BE përfshinë autonomi të vendeve anëtare, dhe jo gjithmonë vullneti i Gjermanisë mund të shtyhet para”.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz. Foto: Associated Press

“Ndonëse vendimi për mos liberalizim është puro politik nga disa vende anëtare me të cilat Gjermania por Kosova edhe më shumë duhet të shtrojë një dialog konstruktiv për këtë çështje”.

Scholz, përdori diplomaci sa i përket Ballkanit të Hapur duke mos folur për refuzim kategorik.

“Kancelari preferoi ‘Procesin e Berlinit’ më shumë se ‘Open Balkan’ por ishte diplomatik në mos refuzimin e Ballkanit të Hapur si iniciativë. Dhe, nga pozicioni aktual i qeverisë së Kosovës që e sheh ‘Procesin e Berlinit’ më me prioritet dhe e refuzon atë të ‘Ballkanit të Hapur’ hapa konkretë për aq sa mundet duhet të bëjë edhe Kosova për energjizim të këtij procesi, ndonëse hapësira manovruese është e vogël”, deklaron Fetahu.

Institucionet e Kosovës të jenë “sy hapur” me komunitetin ndërkombëtarë

Sipas analistit politik, Gazmir Raci, ky takim përcolli dy mesazhe kryesore.

“Fillimisht pozicioni gjerman i cili na rikonfirmoi pro liberalizimit të vizave, unë besoj që kancelari Scholz do të jetë proaktiv në këtë drejtim sepse Kosova është vendi i vetëm i izoluar në Ballkanin Perëndimor dhe nuk mund të ecet tutje me këtë izolim që i bëhet padrejtësisht qytetarëve të Kosovës”, pohoi Raci.

Gazmir Raci

Siç thotë Raci, Gjermania ka relevancë të madhe në dialogun Kosovë-Serbi, prandaj edhe duhet të vazhdoj mbikëqyrjen e këtij procesi.

“Gjermania duhet të jetë këmbëngulëse në qëndrimin e saj të mëhershëm që të dyja palët të kenë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme në vetvete dhe që njohja duhet të jetë në qendër, pa të cilën as Kosova nuk mundet të bëjë ndonjë marrëveshje me Serbinë pasi që vetëm do të mund të e vazhdonte problemin”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kancelari gjerman Olaf Scholz. Foto: Associated Press

Raci, apelon që institucionet e Kosovës të jenë sy hapur në raport me komunitetin ndërkombëtarë.

“Ballkani Perëndimor tash ka nevojë për stabilitet dhe ka nevojë që t’i ndërpritet dalja e Rusisë në Ballkanin Perëndimor përmes Serbisë, këtu Kosova duhet me qenë sy qel dhe bashkëpunues dhe duhet me marrë obligimet e saj në raport me komunitetin ndërkombëtarë që të arrij marrëveshje sa më parë”.

Ndryshe, më 4 maj, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ishte në Gjermani për një vizitë zyrtare me ftesë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Ky ishte takimi i parë i kryeministrit Kurti me kancelarin Scholz.

Ndërsa, në një konferencë të përbashkët për media pas një takimi që kishin realizuar të dy liderët pa praninë e mediave, Scholz kishte theksuar se çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen hap pas hapi me idenë që të kulmojë paqja dhe stabiliteti rajonal.

Mes tjerash Scholz kishte theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe krijimit të një tregu të përbashkët rajonal brenda Procesit të Berlinit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore