Lajme

Mesazhet e Scholz në Prishtinë: Procesi i Berlinit, Open Balkan, vizat dhe dialogu me epilog njohjen


Olaf Scholz dhe Albin Kurti ne konference per media

Kancelari gjerman Olaf Scholz nuk është treguar aspak gjerman kur ka folur për Open Balkan, i pyetur nga gazetarët në konferencën e përbashkët me Albin Kurtin në Prishtinë, të premten e 10 qershorit.

Pyetja ishte e qartë: Cili është qëndrimi konkret i Gjermanisë për Open Balkan?

Përgjigja: skaj tjetër i qartësisë dhe krejtësisht diplomatike.

“Sa i përket Open Balkan duhet ta bëj të qartë që, për ne, prioritet të madh ka Tregu i Përbashkët Rajonal, i cili mendojmë se duhet të përparojë dhe çështjet që janë brenda atij tregu mund të realizohen dhe të çohen përpara. Është e rëndësishme të arrihen përparime që janë të arritshme”.

Përgjigjja e tij e shkurtër vazhdoi, por prapë e tërthortë.

“Në qoftë se më lejoni të shtoj, të gjithë duan të shkojnë në BE, atje edhe ashtu ekzistojnë dhe janë të vlefshme rregullat e lirive të lëvizjes, mallrave etj…”

Për çfarë ka qenë krejtësisht i qartë Scholz është përkushtimi i tij për ringjalljen e Procesit të Berlinit, një nismë gjithashtu rajonale për shtetet e Ballkanit Perëndimor, por që ka Gjermaninë brenda.

Scholz është i vetëdijshëm se, viteve të fundit, kjo nismë ka pasur një rënie të theksuar, porse ai synim ka ta rikthejë si një projekt tejet të rëndësishëm politik.

“E kam shumë për zemër fillimin e Procesit të Berlinit”, pohoi Scholz dhe tregoi se për këtë folën edhe në takimin me Kurtin.

“Dëshiroj që, së bashku me partnerët, në kuadër të procesit, ta rijetësojmë procesin dhe në vjeshtë ftoj konferencë në Berlin”, shtoi gjermani, pasi “rajoni duhet të përparojë”.

Pjesë të rëndësishme gjatë fjalimit të tij në konferencë i ka kushtuar edhe dialogut të Kosovës me Serbinë.

Ka thënë se “është me rëndësi për Kosovën që dialogu i ndërmjetësuar nga BE të çohet përpara”.

“Kosova dhe Serbia përmes një marrëveshje gjithëpërfshirëse të çojnë në zgjidhje politike. Dialogu është rruga që i hap Kosovës perspektivën evropiane. Një marrëveshje politike mes dy vendeve është një kusht i rëndësishëm edhe për perspektivën e të rinjve në Kosovë. Marrëveshja duhet të zgjidhë edhe çështjen e Kosovës në fund, sepse është e paimagjinueshme që dy vende, që nuk e njohin njëra-tjetrën, të bëhen pjesë e BE-së”.

Kancelari përmendi edhe liberalizimin e vizave për Kosovën. Vetëm sa për të rikonfirmuar se Gjermania tashmë e trumbeton prej kohësh që Kosova ka plotësuar kushtet dhe meriton vizat.

Scholz s’ka lënë pa përmendur pozicionimin e qartë dhe të drejtë të Kosovës sa i përket luftës që Rusia shkaktoi në Ukrainë.

E ka falënderuar Kurtin për bashkimin në sanksionet kundër Vladimir Putin, por edhe për masat e marra vetanake të qeverisë së Kosovës.

Nga mediat gjermane, kancelari është pyetur edhe për qëndrimet pro-ruse të Serbisë.

Këtu e ka bërë të qartë se “kush bëhet anëtar i BE-së, duhet të pranojë të gjithë regjimin që vjen me atë. Po flas për rregullat e përbashkëta, të cilat i kemi zhvilluar, duhet t’i pranojë të gjitha: legjislacionin, demokracinë, hapjen, transparencën dhe këtu bën pjesë edhe regjimi i sanksioneve të cilin e ka vendosur BE-ja ndaj Rusisë dhe kjo duhet të pranohet nga një vend i cili synon BE-në”.

“Vizitë historike, me Gjermaninë na bashkon gjithçka. BE-ja është fati ynë” – Kurti në konferencë me Scholz

Vetë Kurti vizitën e homologut gjerman e ka cilësuar asgjë më pak pos historike, derisa në fillim të fjalimit të tij ka përmendur rreshtimin e Kosovës karshi vlerave evropiane, për çka tha se “me Gjermaninë na bashkon gjithçka”.

“Është vizitë historike, për shkak të momentit në të cilin jemi. Bota ka ndryshuar pas luftës në Ukrainë. Pikërisht në këtë kohë, kancelari ka treguar vizion dhe qartësi në mbrojte të vlerave të përbashkëta të demokracisë. Gjermania dhe Kosova janë të bashkuara nga të njëjtat synime dhe ideale. Ne jemi të bashkuar edhe nga njerëzi tanë”, deklaroi Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

Në një pjesë të fjalimit ka folur edhe për sukseset e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe forcimin e subjektivitetit të shtetit.

“Ne kemi aplikuar tashmë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, këtë vit synojmë që të kandidojmë edhe për statusin në anëtarësimin e Bashkimit Evropian, ne jemi për edhe të anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, sepse atje po zhvillohet një luftë e tmerrshme”.

“Por unë besoj se duhet të jenë të dyja edhe Ukraina, edhe Ballkani Perëndimor. Do të dëshironim që çdo gjë të shkojë më shpejt dhe për këtë do punojmë më shumë. BE-ja është fati ynë dhe ne duam një Kosovë Evropiane”.

Kosova i kushton rëndësi Procesit të Berlinit

Kurti e ka bërë të qartë në konferencën me Scholz se Kosova, përkushtim primar sa u përket nismave rajonale, e ka pikërisht Procesin e Berlinit.

“Sa i përket çështjes së dialogut me Beogradin theksova se jemi treguar palë konstruktive, kreative e përkushtuar, por që Serbia fatkeqësisht po vazhdon t’i bllokojë ligjet që ne i ofrojmë edhe në kuadër të procesit të Berlinit, kjo vërehet së fundit me marrëveshjen me targat ose situatën me kosto në komunat me shumicë serbe të popullsisë në veriun e Kosovës”, deklaroi kryeministri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Kurse shtoi se “Kancelarin e njoftova për rëndësinë që Kosova i kushton Procesit të Berlinit si zgjidhja më e mirë për bashkëpunimin e vendeve të rajonit për integrim bashkim evropian. Edhe në këtë proces Kosova po tregon përafrimin dhe orientimin në politikat e BE-së për rajonin duke iu përkushtuar plotësisht tregut të përbashkët rajonal”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore