Lajme

Ish-liderja e Myanmarit dënohet me pesë vjet burg për korrupsion


Aung San Suu Kyi është dënuar me pesë vjet burg pasi u shpall fajtore për korrupsion nga një Gjykatë në Myanmar e kontrolluar nga ushtria, e fundit në një seri çështjesh ligjore.

Ish-udhëheqësja e Myanmar-it, 76 vjeçe, është arrestuar më 1 shkurt të vitit kaluar kur ndodhi grusht shteti ushtarak që e zhyti vendin në një krizë politike dhe në konflikt të përshkallëzuar.

Ajo është akuzuar për të paktën 18 vepra, duke filluar nga mashtrimi zgjedhor deri te shkelja e ligjit të sekreteve zyrtare. Akuzat e ndryshme përmbajnë dënime maksimale që mund të çojnë Aung San Suu Kyi që të kalojë pjesën tjetër të jetës së saj në paraburgim.

Në rastin e fundit, ajo u akuzua se kishte pranuar 11.4 kilogramë shufra ari dhe pagesa në para në vlerë prej 600 mijë dollarësh nga ish-kryeministri i Yangon, Phyo Min Thein.

Ekipi i saj ligjor i ka hedhur poshtë akuzat si absurde, ndërsa grupet e të drejtave të njeriut i kanë përshkruar ato si një përpjekje të qartë për të hequr Aung San Suu Kyi nga politika.

Phil Robertson, zëvendësdrejtor i Azisë, “Human Rights Watch”, i quajti akuzat për korrupsion si “të falsifikuara”.

“Ditët e Aung San Suu Kyi-t si një grua e lirë në fakt kanë mbaruar. Junta e Myanmar-it dhe gjykatat e vendit po punojnë për të larguar Aung San Suu Kyi-n për atë që përfundimisht mund të jetë ekuivalenti i një dënimi të përjetshëm, duke pasur parasysh moshën e saj”, tha Robertson.

Ushtria është përballur me kundërshtime të forta ndaj sundimit të saj, duke përfshirë edhe lëvizjet paqësore pro-demokratike të protestës, dhe një rezistencë të armatosur, me civilë që marrin armët në përgjigje të sulmeve ushtarake.

Junta ka përdorur dhunë për të vendosur kontrollin e saj, duke nxitur OKB-në të paralajmërojë se abuzime të tilla mund të përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke përmendur bombardimet e zonave të populluara me sulme ajrore, si dhe raportet për vrasje masive të civilëve dhe torturat.

Nuk dihet se ku po mbahet Aung San Suu Kyi. Ajo nuk është parë në publik që nga grushti i shtetit dhe gjyqet janë zhvilluar në një Gjykatë të mbyllur, me përfaqësuesit e saj ligjorë të ndaluar të flasin me mediat.

Muajin e kaluar, media e pavarur “Myanmar Now” raportoi një mesazh të rrallë nga liderja e rrëzuar, i transmetuar përmes një burimi anonim, në të cilin ajo i kërkoi publikut të qëndronin të bashkuar.

Burimi i tregoi gazetës se ajo tha “se sot të gjithë duhet të qëndrojnë të bashkuar dhe të zhvillojnë diskutime për pikëpamje të ndryshme. Nëse ata ende nuk janë në gjendje të hapin dialog, ajo tha të prisnin me durim derisa të jetë e mundur për ta bërë këtë”.

Aung San Suu Kyi është një nga më shumë se 10 mijë e 300 personat që janë aktualisht në paraburgim, sipas vlerësimeve të Shoqatës së Ndihmës për të Burgosurit Politikë, një grup mbrojtës që gjurmon arrestimet dhe vrasjet.

Midis të arrestuarve janë anëtarë të partisë së Aung San Suu Kyi, Lidhja Kombëtare për Demokraci, si dhe kushdo që dyshohet se kundërshton ushtrinë, nga shkrimtarët dhe intelektualët, te punonjësit e sektorit publik që refuzojnë të punojnë në departamente të kontrolluara nga junta.

Sipas AAPP, 100 persona janë dënuar me vdekje, duke përfshirë 57 të rritur dhe dy fëmijë që aktualisht ndodhen në burg.

Marrë nga The Guardian, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore