Lajme

Ish-kryetari i Kamenicës: Të mos lejohet ndërtimi dhe zhvillimi i veprimtarive ilegale


Ish-kryetari i Kamenicës, Shaip Surdulli

Ish-kryetari i Kamenicës, Shaip Surdulli, ka kërkuar që të mos lejohet fillimi dhe ndërtimi i kazinove, teksa deklaroi se Karaçeva po kontestohet prej KFOR-it në bashkëpunim me organet e policisë së Serbisë, gjoja se kjo pjesë nuk dihet se a është me Kosovën apo me Serbinë.

“Është mirë që në të ardhmen të mos lejohet fillimi dhe ndërtimi i tyre, dhe lëre më të zhvillohen veprimtaritë ilegale për disa muaj, siç ka ndodhur në herën e dytë”.

Më 15 dhjetor, Policia e Kosovës nën urdhrat e Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka zhvilluar një operacion të ri në zonën e Karaçevës, aksion ky kundër kumarxhinjve të paligjshëm dhe kazinove.

Policia e Kosovës gjatë aksionit në Karaçevë.

“Kjo zonë po kontestohet pak edhe prej KFOR-it në bashkëpunim me organet e policisë dhe ushtrisë së Serbisë, se gjoja kjo pjesë nuk dihet ende se a është me Kosovën apo me Serbinë, por shumë herë është dëshmuar se kjo pjesë është e Kosovës me anë të kadastrës”.

“Për këtë arsye këtu janë zhvilluar veprimtari ilegale, kontrabanda, për shkak se përpara nuk ka pasur rast që ka ndërhyrë policia e Kosovës, derisa herën e parë ndërhyri policia e Kosovës dhe shkatërroi ato veprimtarit ilegale, dhe kjo është e dyta herë, dhe tash është mirë që të krijohet bindja që të mos fillojnë ndërtimin e këtyre veprimtarive ilegale”, është shprehur Surdulli për KlanKosova.

Policia e Kosovës gjatë aksionit në Karaçevë.

“Pse po ndodhin këto veprimtari pikërisht, në këtë zonë, nuk ka kush prej qeverisë, apo prej organeve kompetente të Kosovës që të ndërhyjnë dhe të ndalojnë veprimtarinë e tyre, ajo ndodhi para disa muajve por ndërkohë prapë filluan dhe u ndërtuan edhe tri kazino të tjera, të cilat kanë filluar veprimtarinë për disa muaj, teksa në mëngjes e pamë se të njëjta janë shkatërruar”.

Operacioni policor ka filluar në orët e hershme të mëngjesit si rezultat i një hetimi në vazhdimësi dhe të bashkërenduar me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm dhe aktivitete tjera.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, për Albanian Post ka bërë të ditur detaje pas përfundimit të operacionit “Organizim të skemave piramidiale dhe bixhozit të paligjshëm”.

“Në këtë rast janë arrestuar dy persona të cilët janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit të shtetit të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë”, ka thënë Hashani.

Ai ka bërë të ditur po ashtu se gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar edhe prova materiale.

“96 aparata të lojërave të fatit, katër shtëpiza kompjuterike, tre llaptop, tre monitor, dy televizion që janë përdorur për lojëra të fatit, një pistoletë e llojit Ekol special 99 së bashku me shtatëmbëdhjetë 17 fishekë, një gjenerator si dhe 469, 15 euro (të gjeturat në aparatet e lojërave të fatit).

Aksione të tilla, policia ka pasur edhe në të kaluarën pasi organizimi i skemave piramidale në fshatin kufitar në Karaçevë është një dukuri e shpeshtë.

Ndryshe, edhe më tre dhjetor, Policia e Kosovës ka realizuar aksionin “Subvencioni 2021”, Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se janë arrestuar 31 persona nga ky aksion.

Aksioni është zhvilluar në komunat: Pejë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Prishtinë, Kllokot, Vushtrri, Podujevë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore