Lajme

Ish-kryediplomati malazez: Politika e SHBA-ve në rajon, vazhdimësi e politikës së Trumpit dhe Grenellit


Miodrag Vllahoviç

Ish-Ministri i Punëvë të Jashtme të Malit të Zi, Miodrag Vllahoviç, në një intervistë për “The Geopost”, ka thënë se politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor është vazhdimësi e politikës së ish-presidentit Donald Trump dhe emisarit të tij Richard Grenell.

Vllahovic konsideroi se reagimi i ashpër i administratës amerikane për ngjarjet në pjesën veriore të Kosovës “për fat të keq” nuk janë të befasishme, por ato përfaqësojnë vazhdimësinë e asaj që është “Pax Americana” në rajon në dhjetë vitet e fundit.

“Ka një rastësi të çuditshme, një vazhdimësi që nuk pritej dy-tre vjet më parë, një vazhdimësi e asaj që ishte politika e mishëruar nga Donald Trump dhe Richard Grenell”, tha Vllahoviç, ndërsa shtoi se administrata e presidentit Joe Biden po vazhdon në të njëjtën rrugë, ndonëse nuk pritej të ndodhte kështu.

“Ecuria e Departamentit të Shtetit dhe diplomacisë amerikane në zonën tonë dhe në kontekstin e marrëdhënieve të Serbisë dhe Kosovës, ajo që ndodhi para disa ditësh në kuptimin e reagimit zyrtar nga Uashingtoni nuk është befasi, por në fakt është produkt i pozicionit aktual amerikan”, shtoi Vllahoviç.

Vllahoviç, i cili ka qenë ambasador i Malit të Zi në Uashinton, theksoi se përshkallëzimi në pjesën veriore të Kosovës është shkaktuar qëllimisht dhe madje, është keqpërdorur, duke u vënë në funksion të problemeve aktuale me të cilat përballet presidenti serb Aleksandër Vuçiç në Beograd.

“Prandaj, ai ka një situatë jashtëzakonisht problematike dhe komplekse, për të cilën, natyrisht, përgjegjësit dominues, nëse jo ekskluzivisht, janë ai dhe zyrat e tij, media, kisha dhe rrethet e tij politike e të tjera, faktorët e brendshëm të pushtetit të tij”, nënvizoi ish-shefi i diplomacisë malazeze.

“Vuçiç është i mirëpritur të krijojë një problem në Kosovë, për të cilin miqtë tanë amerikanë reaguan sipas asaj që, për fat të keq, është sjellja e tyre në muajt dhe vitet e fundit ndaj situatës në Serbi, jo vetëm në kontekstin e marrëdhënieve serbo-kosovare, por gjithashtu, lidhur me situatën në të gjithë zonën e Ballkanit Perëndimor”.

Ndryshe, tensionet janë kthyer në pjesën veriore të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave në veri të vendit – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Serbët lokalë janë duke protestuar që prej 29 majit në këto komuna të banuara me shumicë serbe, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale. Nga ana tjetër, komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.

Ndërkaq, komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar edhe pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten e 26 majit, me vendim të Qeverisë së Kosovës dhe pakoordinim me partnerët ndërkomëtarë, realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore