Lajme

Ish-këshilltari i Putin-it zbërthen ngjarjet në Rusi, nga fati i Shoigu-t te misteri Prigozhin


Ish-këshilltari për politikën e jashtme të Vladimir Putin që nga viti 2011 deri në vitin 2019, Sergei Markov, paralajmëron se pas zhvillimeve të fundit në Rusi do të ketë ndryshime, si fillim.

Ai është një njeri ende me qasje në dhomat sekrete të Kremlin-it dhe rrëfen se Rusia është në një situatë anormale dhe po ecën në drejtim të gabuar.

“Pas asaj që ndodhi, një revoltë që ishte shumë afër fitores dhe pjesërisht një luftë civile, duhet të ketë ndryshime”, tregon ai për gazetën italiane “Corriere della Sera”.

Sipas tij, në themel të problemit qëndron fakti se Rusia është në një gjendje dy luftërash.

“Nëse një vit më parë diskutonim nëse ushtria ruse do të merrte Kharkiv-in, tani po diskutojmë nëse ushtria ukrainase do të marrë Melitopol-in. Nëse ky nuk quhet keqdrejtim…”, shtoi ish-këshilltari.

Markov vëren se këto dy luftëra, nëse vazhdojnë, do të gjenerojnë një situatë jostabiliteti.

“Të dyja duhet të ndalen, në interesin tonë. Ose, një nga këto duhet fituar”, deklaroi ai për botimin italian.

Ngjarjet e fundit tregojnë se Rusia ose do të kërkojë një rrugëdalje nga kjo situatë, qoftë edhe përmes një gjysmë kapitullimi, ose do të forcojë fuqishëm pozicionin e saj, duke përfshirë mobilizimin e përgjithshëm dhe forcimin e mprehtë të fuqisë ushtarake me mundësinë e përdorimit të armëve taktike bërthamore, mendon studiuesi i politikës.

“Për mendimin tim, hipoteza e parë është krejtësisht e pamundur. Sepse nëse Putini bën lëshime, amerikanët nuk do të bëjnë kurrë kompromis, do ta shohin atë si një dobësi dhe do ta përmbysin atë”, argumenton gazetari rus.

Për efektet që pati rebelimi i Wagner-it te Putin-i, Markov shton se presidenti rus doli shumë i dobësuar, sepse ndërkohë e la vendin të përfundonte në këtë situatë.

“Të gjithë nga lart poshtë e kanë kuptuar se po shkojmë në drejtimin e gabuar. Dhe pastaj, më falni, disa mijëra njerëz të armatosur pothuajse arritën në Moskë. Në kryeqytet thuajse u hapën llogore dhe u ngritën fortifikime. A është kjo mënyra për të kuptuar sigurinë? Ishte e pamundur të blije një biletë avioni nga Moska të shtunën. Të gjithë po iknin”, tregon ai për botimin italian.

Për Markov-in, dështimi aktual i këtij konflikti është tashmë një simptomë kolosale dobësie.

“Kjo është thelbësore. Kryengritja e Prigozhinit tradhton një mosfunksionim të qartë të qeverisë dhe praninë e pakënaqësisë së madhe. Nëse presidenti nuk i kontrollon plotësisht strukturat e forcave, është e qartë se ai nuk ka një pozicion të fortë”, shprehet ish-këshilltari i Putin-it.

Ai e konsideron si pozitive faktin që Putin-i ka arritur një marrëveshje me Prigozhin.

“Nuk kisha asnjë dyshim se do të ishte kështu. Unë personalisht i njoh Putinin dhe Prigozhinin dhe e di me siguri se ata kanë qenë miq për të paktën tridhjetë vjet. Disa vite më parë ata u grindën dhe Putini u tha të shkonin të punonin me Ministrinë e Mbrojtjes. Pa hyrë në detaje, do të shtoja se inati i Prigozhin nuk lidhet vetëm me ministrin e Mbrojtjes Shoigu, por edhe me ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov”, zbulon Markov.

Studiuesi i politikës mendon se nuk ka pasur asnjë ndërmjetësim nga ana e presidentit bjellorus Alexandre Lukashenko.

“Nuk ka pasur asnjë ndërmjetësim. Duke folur publikisht për Lukashenko-n, dhe jo publikisht për guvernatorin e Tula-s, Dyumin. Nuk kishte ndërmjetësim efektiv. Putini u ofendua nga Prigozhin dhe nuk donte të fliste personalisht me të…”, nënvizon gazetari rus.

Ai mendon se Shoigu do të hiqet nga posti i ministrit të Mbrojtjes, por jo në kto momente.

“Putinit nuk i pëlqen t’i bëjë gjërat nën presion. Për më tepër, ministri i mbrojtjes është shumë jopopullor me trupat. Kohët e fundit, një nga këshilltarët e tij më tha një gjë shumë të mençur: betejat fitohen nga ushtritë, luftërat fitohen nga qeveritë. Dhe ata gjithashtu humbasin”, theksoi Markov.

Ndërsa për fatin e personazhit kryesor të ngjarjeve të fundit në Rusi, Yevgeny Prigozhin, ish-këshilltari i Putin-it shprehet se do të mbetet “një e panjohur e madhe”.

“Është e paqartë nëse ai do të mbetet në krye të Wagner. Por duke e njohur personin, dyshoj se ai do të pranonte të qëndronte larg. Është një e panjohur e madhe”.

Marrë dhe përshtatur nga Corriere della Sera për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore