Lajme

Ish-këshilltari i Haradinajt për Kurtin: Me vetting do ta shkatërrojë drejtësinë


Avni Arifi, ish-këshilltari i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ka kritikuar kreun e qeverisë kosovare Albin Kurtin pasi ky i fundit tha se reforma në drejtësi është domosdoshmëri dhe se vettingu është zgjidhje për këtë.

“Këto tri vjet kanë mjaftuar për të bindur të gjithë se vettingu i Kurtit synohet jo për të avancuar drejtësinë në Kosovë por për ta instrumentalizuar, politizuar dhe në instancë të fundit shkatërruar atë”, shkroi ai në Facebook.

“Në një vend ku kryeministri dhe ministrat për një grusht vota gjykojnë dhe kritikojnë vendimet e gjykatave të atij vendi shpresa për një sistem të drejtësisë së mirëfilltë venitet në atë vend”, shtoi Arifi.

Ai shprehet i bindur se të gjithë po e kuptojnë se “vettingu i Albinit nënkupton që detyrat e punës kryeprokurori dhe gjykatat do të i marrin jo më nga ligjet e Kosovës, por nga Komisarja Politike e VV dhe byroja politike e saj”.

“Jemi me fat që nuk jetojmë në epokat kur kjo ishte e mundur”.

“Është absurde që për rendin publik me hedhë përgjegjësinë tek Gjykatat. Asnjë vendim i pa popullarizuar i gjykatave për çfarëdo rasti kriminal nuk po del që nuk ka pas bazë ligjore. Pra problemi është te ligji i Qeverisë e jo te Gjykata”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Arifit, Qeveria i krijon dhe Kuvendi i Kosovës i aprovon ligjet kurse gjykatat sillen në bazë të ligjeve.

“Ka shumë gjykatës dhe prokurorë që tronditen kur duhet të lirojnë njerëz të gabuar, por njerëzit e gabuar kanë të drejta që ju jep ligji i bërë nga Qeveria”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore