Kosova

Ischinger për konferencën e Mynihut: Nevoja për dialog nuk ka qenë kurrë më e madhe


Kryetari i MSC-së, Wolfgang Ischinger.

Konferenca e 58-të e Sigurisë së Mynihut (MSC), ka filluar nga e premtja e 18 shkurtit në Mynih.

Kjo konferencë do të përfshijë më shumë se 30 krerë shtetesh dhe qeverish, 100 ministra dhe krerët e shumë prej vendeve,

Konferenca treditore këtë vit do të mirëpresë më pak të ftuar dhe përfaqësues të mediave, si dhe delegacione më të vogla për të garantuar shëndetin dhe sigurinë e pjesëmarrësve në të për shkak të pandemisë COVID-19.

Ndërsa, pjesë e saj do të jenë edhe organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare se si Organizata e Kombeve të Bashkuara, NATO dhe Bashkimi Evropian.

Kryetari i MSC-së, Wolfgang Ischinger, para nisjes së punimeve të kësaj konference ka thënë se nevoja për dialog nuk ka qenë kurrë më e madhe.

“Bota jonë është në rrezik. Siguritë tradicionale po shemben, kërcënimet dhe dobësitë po shumohen dhe rendi i bazuar në rregulla po sulmohet gjithnjë e më shumë. Nevoja për dialog nuk ka qenë kurrë më e madhe”, deklaroi Ischinger.

Njëra nga konferencat e sigurisë së Mynihut (MSC).

MSC thuhet se do të ofrojë një platformë për të adresuar këtë valë krizash reciprokisht përforcuese.

Ndër temat që do të diskutohen në programin kryesor janë sfidat globale, si pandemia dhe krizat klimatike, mbrojtja e demokracisë, rregullimi i teknologjisë si dhe sfidat rajonale si rigjallërimi i aleancës transatlantike, tensionet në rritje në Evropën Lindore.

Gjithashtu, situata në disa nga zonat më të rënda të konfliktit në botë. Dita e fundit e konferencës i kushtohet Bashkimit Evropian dhe mënyrës se si ai mund (dhe duhet) të kontribuojë në adresimin e të gjitha këtyre sfidave.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Gjermani, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC).

Kështu ka bërë të ditur zyra e presidencës, në njoftim thuhet se Osmani do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe me liderë të tjerë botërorë, si dhe me krerë të organizatave ndërkombëtare.

“Presidentja Osmani do të marrë pjesë poashtu edhe në panele diskutimi për çështjet e lidhura me sigurinë, duke përfshirë zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe sfidat e paraqitura për kombet demokratike në mbarë botën”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Ndryshe, MSC është themeluar më 1963 dhe që nga atëherë është një forum i pavarur në të cilin promovohen zgjidhjet paqësore të konflikteve, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe dialogu.

Edhe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të premten e 18 shkurtit udhëton për në Mynih të Gjermanisë për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë e cila do të mbahet në Mynih.

Në njoftimin për medie, nga zyra e kryeministrit, bëhet e ditur se në këtë vizitë, Kurti do të shoqërohet nga zëvendëskryeministrja, njëherit ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore