Lajme

”Irani zotohet të hakmerret pas vrasjes së komandantit”


Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi. ©: Abedin Taherkenareh/EPA-EFE

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, është zotuar se do të hakmerret ndaj atyre që janë përgjegjës për atentatin në mes të ditës të një figure të lartë ushtarake në fundjavë.

Të dielën rreth orës 16:00 me orën lokale, koloneli Hassan Sayyad Khodaei, anëtar i forcës Quds, që është krahu i jashtëm i Gardës Revolucionare – të dyja të përcaktuara nga SHBA-të si organizata terroriste – u vra para shtëpisë së tij në qendër të Tehran-it.

Fotografitë e publikuara në mediat lokale tregonin trupin e pajetë të komandantit në makinën e tij “Kia Pride” me rripin e lidhur.

Të paktën dy sulmues me motoçikleta qëlluan pesë plumba në drejtim të tij, thanë mediat lokale. Më vonë, ata u arratisën.

“Pa asnjë dyshim, hakmarrja ndaj kriminelëve është e sigurt”, u tha Raisi gazetarëve në aeroportin e Tehran-it përpara se të nisej drejt Oman-it, duke shtuar se, “pa asnjë dyshim, dora e tiranisë globale mund të gjurmohet te ky krim”.

Nuk është e qartë se kush e kreu sulmin, por shprehja “tirani globale” është zakonisht një referencë për SHBA-të dhe Izraelin.

Tehran-i dhe fuqitë globale kanë qenë në bisedime për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore që do të çonte në ndryshimin rrënjësor të programit të tij bërthamor nga Irani në këmbim të ribashkimit të SHBA-ve me paktin që braktisi në vitin 2018 dhe heqjen e shumë sanksioneve ndaj republikës islame.

Por bisedimet kanë ngecur dhe diplomatët perëndimorë thonë se pengesa kryesore është përcaktimi i Gardës Revolucionare dhe forcave të saj Quds si terroriste. Irani dëshiron që emërtimi të hiqet. Ajo gjithashtu ka bërë të qartë se do të vazhdojë t’i mbështesë milicitë në të gjithë Lindjen e Mesme.

Autoritetet iraniane nuk kanë konfirmuar se çfarë pozicioni mbante Khodaei në forcën Quds.

Por, sipas raporteve në mediat vendase, ai ishte kthyer kohët e fundit nga Siria, ku forcat iraniane kanë ndihmuar në mbështetjen e regjimit të presidentit Bashar al-Assad.

Khodaei raportohet të ketë udhëhequr operacionet kundër Izraelit, i cili ka kryer sulme ajrore kundër forcave të Iranit në Siri.

Irani thotë se ka një rol këshillues në Siri dhe Irak për t’i ndihmuar forcat vullnetare lokale të mbrojnë faltoret e shenjta të myslimanëve.

Shërbimi i inteligjencës izraelite besohet gjerësisht në Tehran dhe kryeqytetet perëndimore se ka qenë pas disa atentateve të synuara në lidhje me programin bërthamor.

E fundit ndodhi në nëntor 2020, kur një shkencëtar bërthamor iranian, Mohsen Fakhrizadeh, i dyshuar prej kohësh si organizatori i programit të supozuar ushtarak bërthamor të Republikës Islamike, u vra.

Midis 2010-ës dhe 2012-ës, të paktën katër shkencëtarë bërthamorë iranianë u vranë gjithashtu në Tehran.

Irani ka akuzuar shërbimin sekret izraelit Mossad për vrasjen e shkencëtarëve kryesorë të tij bërthamorë.

Qassem Soleimani

Vrasja, që tronditi më shumë Republikën Islamike, ishte ajo e Qassem Soleimani, komandantit të fuqishëm të forcave Quds, nga SHBA-të në janar 2020-të në Bagdad.

Irani ka thënë se do të hakmerret ndaj zyrtarëve amerikanë – nën administratën e ish-presidentit amerikan, Donald Trump – që projektuan sulmin.

Këtë vit, Garda Revolucionare mori përgjegjësinë për sulmin me raketa të 13 marsit në atë që tha se ishte një qendër e inteligjencës izraelite në Irakun Verior.

Kjo pasoi një sulm të supozuar ajror izraelit pranë kryeqytetit sirian Damask në të njëjtin muaj që vrau dy komandantët e rojeve.

Ndërsa Irani më parë kishte hezituar të pranonte ndonjë sulm nga Izraeli, tani ka premtuar se do t’i përgjigjet çdo sulmi ndaj forcave të tij në Siri ose tentativave për vrasje brenda Iranit.

“Epoka e goditjes dhe arratisjes ka marrë fund”, tha një burim i brendshëm i regjimit. “Kur izraelitët të na godasin, ne do të kundërpërgjigjemi me siguri. Kjo është politika jonë definitive”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore