Lajme

Irani: Bisedimet bërthamore, më të vështira pasi Perëndimi pretendon të marrë iniciativën


Një zyrtar i lartë i sigurisë iraniane të hënën e 14 shkurtit tha se përparimi në bisedimet për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015 po bëhej “më i vështirë”, pasi fuqitë perëndimore “pretendojnë” vetëm të dalin me iniciativa.

Bisedimet indirekte në Austri midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara rifilluan javën e kaluar, pas një pauze 10-ditore.

Delegatët thanë se bisedimet kanë përparuar pak qëkur rifilluan në nëntor, pas një ndërprerjeje 5-mujore të shkaktuar nga zgjedhja e presidentit të vijës së ashpër iranian Ebrahim Raisi.

“Puna e negociatorëve iranianë drejt përparimit po bëhet më e vështirë çdo moment, ndërkohë që palët perëndimore ‘pretendojnë’ të dalin me iniciativa për të shmangur angazhimet e tyre”, tha Ali Shamkhani, sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, në Twitter.

Mikhail Ulyanov, i dërguari i Rusisë në bisedimet në Vjenë, disa orë më parë ravijëzoi në Twitter se “është bërë përparim i rëndësishëm në ecurinë e negociatave”.

 

Të enjten, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se kishte ende shumë për të bërë përpara se marrëveshja e vitit 2015 të ringjallet. Përparimet bërthamore të Iranit u frenuan në këmbim të lehtësimit të sanksioneve të SHBA-ve.

Në bazë të marrëveshjes u vendosën kufizime në aktivitetet bërthamore të Iranit që zgjatën kohën që do t’i duhej Teherani-t të prodhonte materiale të mjaftueshme për zbërthimin e një bombe bërthamore. Shumica e ekspertëve thonë se tani është koha më e shkurtër se kur u arrit marrëveshja.

Kufizimet e paktit

Që nga viti 2019, Irani ka shkelur shumë nga kufizimet e paktit, sipas të cilave synohet zgjatja e  kohës për gjenerimin e mjaftueshëm të uraniumit të pasuruar me zbërthim për një bombë bërthamore.

Irani thotë se po ndjek pasurimin vetëm për përdorime civile.

Irani ka miratuar një pozicion pa kompromis, duke kërkuar heqjen e të gjitha sanksioneve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian të vendosura që nga viti 2017, përfshirë ato që nuk kanë lidhje me programin e tij bërthamor, në një proces të verifikueshëm”.

2015-2018

Nën udhëheqjen e Barack Obama-s, në vitin 2015, SHBA-të dhe Irani nënshkruan një marrëveshje bërthamore, me garantë të saj vende, si: Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Rusia dhe Kina.

Dy pikat thelbësore ishin ulja e pasurimit të uraniumit nga ana e Iranit dhe heqja e disa sanksioneve perëndimore ndaj republikës islamike.

Marrëveshja do të funksiononte për tre vjet. Por, me ardhjen në Shtëpinë e Bardhë të ish-presidentit Donald Trump, rrjedha e ngjarjeve do të ndryshonte.

Vetëm një vit pas marrjes së postit, në 2018-ën, Trump e tërhoqi Amerikën nga pakti.

Ai riktheu sanksione të fuqishme ndaj Iranit dhe zyrtarëve të lartë atje. Një luftë e vërtetë diplomatike nisi mes dy vendeve.

Aq sa paramendohej se mund të kishte një konflikt real midis dy shteteve historikisht rivale.

Tonet e ashpra vijuan deri në ndërrimin e pushtetit në SHBA.

Në janar 2021, Joe Biden u bë president. Faqja e diplomacisë amerikane ktheu rrjedhë.

Zotimi i qartë: Vëmendja jonë është marrëdhënia e mirë me çdo shtet të botës.

Në çështje ishte edhe rikthimi i mundshëm i Washington-it në marrëveshjen e 2015-ës.

Mirëpo, bisedimet, pas edhe një krize të madhe mes dy vendeve, nuk ishin të thjeshta.

Të njëjtët aktorë, që u bënë “dëshmitarë” të marrëveshjes, filluan angazhimin për nisjen e tryezave të përbashkëta të ndërmjetësuara.

Një e tillë nuk është arritur ende.

Gjithsesi ka pasur nuanca dhe përpjekje, me tryeza të veçanta komunikimi mes partnerëve dhe dy vendeve të përfshira drejtpërdrejt.

Pushteti në Irani ndërroi po ashtu fytyrë këtë vit.

Ebrahim Raisi u bë president dhe pikëpamjet e tij janë edhe më radikale ndaj amerikanëve, në krahasim me paraardhësin Hassan Rouhani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore