Lajme

Marrëveshja bërthamore/ “Shpejt” për Iranin jo aq sa për SHBA-të


Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amirabdollahian, deklaroi të premten e 24 shtatorit se shpejt, do të ketë një rikthim të bisedimeve Iran-SHBA, për sa i përket marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, nga e cila SHBA-të u tërhoqën pas ardhjes në pushtet të Donald Trump, në vitin 2018.

Mirëpo, vetëm një ditë më pas, Amirabdollahian saktësoi se koncepti iranian për “shpejt”, është i ndryshëm nga çfarë koncepti mund të kenë amerikanët.

“Njerëzit vazhdojnë të pyesin se çfarë domethënë shpejt”, tha ai për televizionin shtetëror iranian.

Për këtë fakt, ai shpjegoi se koha, nuk është e paracaktuar. Mund të jetë çështje ditësh, muaji apo viti. Por ajo çfarë ka më shumë rëndësi, është fakti se Irani, duhet të përmbyllë një raport të plotë mbi atë që njihet si “dosja bërthamore”.

Me të mbaruar shqyrtimin e saj, Irani mund ta quajë veten të gatshëm për të rinisur bisedimet.

“Ndryshimi midis ‘shpejt’ për Iranin dhe Perëndimin, është shumë i madh”, shtoi Amirabdollahian. “Rëndësi ka se jemi të gatshëm të rikthehemi në tavolinën e bisedimeve”.

Vendet evropiane janë përpjekur prej muajsh të rikthejnë dy vendet në tavolinat e diskutimit. Por, kjo gjë është arritur vetëm pjesërisht.

Ndërkohë që, me ardhjen në Shtëpinë e Bardhë të Joe Biden, ka qenë i qartë qëndrimi se SHBA-të, dëshirojnë t’i rikthehen marrëveshjes pas tre vitesh.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore