Lajme

Zyrtarët izraelitë: Diplomacia, e pafrytshme në bisedimet bërthamore me Iranin


Ilustrim

“Qasja e Tehranit ndaj bisedimeve për programin e tij bërthamor në Vjenë është e pakompromis”.

Kjo është deklarata e diplomatit izraelit në Iran, Joshua Zarka, i cili shpreson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane do të akordoheshin për të paraqitur një mocion urgjent në bordin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, sipas të cilit Irani po shkel detyrimet e tij të traktatit të mospërhapjes dhe marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Një mocion i tillë, i planifikuar për këtë muaj, do të ishte fillimi i një procesi më të gjerë në përpjekje për ta detyruar Iranin të ndryshojë sjelljen e tij në çështjen bërthamore.

Prej kohësh Izraeli ka kërkuar t’i largojë aleatët e tij nga negociatat me armikun e tij kryesor, duke thënë se bisedime të tilla mund të jenë të pafrytshme dhe se Irani do vazhdojë të kërkojë avancimin fshehurazi të programit të tij të armëve nëse nuk detyrohet ta braktisë atë.

Ilustrim

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, tha se përparimet e bëra nga Irani, që nga rënia e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, nënkuptonin se do të duhej të kishte ndryshime në akordin e parë.

“Realiteti është se kemi të bëjmë me një Iran shumë të ndryshëm”, tha ai, duke shtuar se “2022 është aq i ndryshëm nga viti 2015, saqë do të duhet të ketë rregullime që do të marrin parasysh këto realitete të reja, në mënyrë që inspektorët tanë të mund të inspektojnë çdo gjë që vendet bien dakord në tryezën politike”.

Grossi tha se kufizimet me të cilat përballen inspektorët e tij në Iran kërcënonin t’i jepnin botës vetëm një “imazh shumë të paqartë” të programit të Teheranit.

Rusia në veçanti, sipas zyrtarëve izraelitë, i ka bërë presion Iranit që të lejojë inspektorët e OKB-së të veprojnë më lirshëm.

Pika e parë e krizës mund të vijë para fundit të këtij muaji në bordin e IAEA-s, nëse Grossi deklaron se inspektorëve ende nuk u është dhënë aksesi i nevojshëm.

Zarka tha se ai nuk do të tërhiqej nga opsionet ushtarake në dispozicion të Izraelit, për të cilat nuk ishte përgjegjës. Por, vazhdimisht, Izraeli ka thënë se nuk do të lejonte që Irani të fitonte një aftësi armësh bërthamore.

Izraeli nuk e ka pranuar kurrë rolin e tij në sulmet e mëparshme ndaj Iranit, duke përfshirë vrasjen e kreut të programit bërthamor të Iranit, Mohsen Fakhrizadeh.

Ambasadori iranian në Londër, Mohsen Baharvand, në një konferencë javën e kaluar tha se ishte e arsyeshme që Irani të kërkonte garanci, përgjatë linjave të një traktati ndërkombëtar, se SHBA-të do të qëndronin në marrëveshje përgjithmonë dhe nuk do të largoheshin – ashtu si Donald Trump e bëri me mbështetjen e Izraelit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore