Lajme

IPK nis hetimet për një dhe përfundon duke hetuar të gjithë stacionin e Policisë së Ferizajt


Ilutrimi i fotografise

Në mënyrë arbitrare, një polic hetues i Stacionit të Policisë në Ferizaj e kishte ndaluar një qytetar duke e mbajtur në stacion, pa bazë ligjore.

Hetuesi i Policisë e kishte telefonuar vetë qytetarin, duke i kërkuar të lajmërohej në stacion për shkak të një veture që ky i fundit e kishte blerë.

Polici e kishte shfrytëzuar uniformën e punës që t’i kryente mosmarrëveshjet e tij për këtë veturë.

Pas përfundimit të të gjitha procedurave, qytetari njofton Inspektoratin Policor dhe menjëherë nisin hetimet.

Inspektorati Policor i Kosovës, ka nisur hetimet për zyrtarin e Policisë por këto hetime janë zgjeruar më pas në të gjithë stacionin. Këto hetime kanë rezultuar me gjetjen e shumë parregullsive dhe shkeljeve ligjore që ka bërë Stacioni i Policisë së Ferizajt gjatë kryerjes së punëve.

“Më 11 janar 2021, një qytetar i Kosovës ka ushtruar anesë në IPK ndaj një zyrtari policor (hetues) të Stacionit Policor në Ferizaj për arrestimin dhe mbajtjen nga Policia për disa orë, pa ndonjë vendim të Prokurorit të Shtetit apo Gjykatës”.

“Sipas pretendimeve të ankuesit (L.D), zyrtari policor Z.M e kishte telefonuar atë dhe e kishte ftuar që me datën 8 janar 2021, të paraqitet në Stacion për të dhënë deklaratë në cilësinë e dëshmitarit lidhur me një rast shitblerjeje të një makine, ku edhe ky i fundit ishte përfshirë”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

“Sipas pretendimeve të tij, ankuesi i ishte përgjigjur thirrjes së Policisë dhe kishte shkuar në Stacionin Policor në Ferizaj. Po atë ditë, ankuesi ishte intervistuar dy herë nga zyrtari hetues Z.M. Bazuar në Procesverbalin e marrjes në pyetje të të dyshuarit, intervistomi fillimisht ishte realizuar nga ora 16:40 deri 17:35 dhe më pas prej orës 20:35 deri 21:10 të datës 8 janar 2021”, thuhet më tej në këtë raport.

Ankuesi, në deklaratën e dhënë në IPK, ka thënë se verbalisht i ishte konfirmuar nga hetuesi policor, dyshimi i pretenduar dhe se gjendet në rrethana të arrestit nga ora 15:00 e të njëjtës datë.

“Sipas pretendimeve të ankuesit që janë bërë të njohura në komunikimin e realizuar me hetuesit e IPK-së, një pjesë të kohës së kaluar në stacion, i njëjti është mbajtur mbyllur në një qeli (dhomë), e cila gjendet në katin përdhese të objektit të stacionit policor. Ankuesi pretendon se mbajtja në këtë hapësirë të mbyllur ishte bërë me qëllim të keqtrajtimit dhe ushtrimit të presionit mbi të” evidenton raporti i IPK-së.

Pas hetimeve që i kishte kryer IPK-ja, shkaku i ankesës së qytetarit, Divizioni për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, gjatë zhvillimit të hetimeve penale lidhur me këtë rast, kishte hasur në dy dhoma (zyra) në katin përdhese të objektit të stacionit, me dritare dhe dyer me grila, të cilat shfrytëzohen për mbajtjen e personave të arrestuar deri në lëshimin e vendimeve mbi ndalimin nga ana e Prokurorit të Shtetit.

“Mbi bazën e këtyre informatave, hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë ngritë dyshime se mbajtja e personave nën masën e arrestit policor në këto dhoma është në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe kishin njoftuar Kryeshefin Ekzekutiv të IPK-së lidhur me ngjarjen duke rekomanduar kryerjen e inspektimit për të vlerësuar nëse mbajtja e personave të ndaluar përkohësisht në ato dhoma është konform udhëzimeve dhe rregullave policore”.

“Me qëllim të vlerësimit të kryerjes së detyrave policore, me datë 11 janar 2021, Kryeshefi i IPK-së, ka kërkuar inicimin e këtij inspektimi të jashtëzakonshëm për vlerësimin e trajtimit të personave të ndaluar përkohësisht në Stacionin Policor të Ferizajt, me theks të veçantë të qytetarit me iniciale L.D”.

Për mbajtjen e këtij qytetari, Stacioni Policor i Ferizajt nuk kishte mbajtur procesverbal fare.

“Veçmas, pas pretendimeve të ankuesit (L.D) se me datën 08.01.2021 ishte ndaluar për afat gjatë orë nga Policia e Stacionit në Ferizaj dhe se gjatë asaj dite ishte mbyllur në qelinë e improvizuar të këtij stacioni, IPK-ja ka kërkuar nëse ekziston procesverbal mbi arrestimin apo ndalimin e përkohshëm të personit në fjalë”.

“Nga Policia nuk është prezantuar asnjë shënim apo proces mbi arrestimin apo ndalimin e përkohshëm. Në tekstin e përmbajtjes së procesverbalit të marrjes në pyetje askund nuk dëshmohet se personit i është konfirmuar se është i arrestuar atë ditë”, thuhet në raport.

Mbajtjen e L.D brenda qelisë, IPK-së ia kishte konfirmuar edhe personeli mbikëqyrës i stacionit Policorë të Ferizajt.

“Policia në çdo rast kur aplikon privim të lirisë dhe ndalim të përkohshëm në stacion, duhet të mbajë procesverbal mbi arrestimin. Në këto raste procesverbale duhet të pasqyrohen të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me personin e arrestuar dhe të përshkruhen në mënyrë konkretë të gjitha shënimet siç e parasheh paragrafi 1 i nenit 172 të IPK-së”.

“Mungesa e procesverbaleve për personat e arrestuar dhe ndaluar përkohësisht ngritë dyshime nëse Policia zbaton autorizime policore duke mos respektuar të drejtat e njeriut konfrom legjislacionit në fuqi”, shpjegon më tej Inspektorati Policor.

Për këtë veprim të policit hetues, IPK-ja i ka rekomanduar Drejtorit Rajonal të Ferizajt dhe Komandantit të Stacionit Policor të këtij qytëti që të ndërmarrin masat e nevojshme për aplikimin e mbikëqyrjes së vazhdueshme që për të gjitha rastet kur aplikohet arrestimi dhe ndalimi i përkohshëm policor deri në gjashtë orë të mbahen procesverbale të veçanta për personat e arrestuar, konform nenit 172 të KPP-së.

Po ashtu IPK ka inspektuar dhomën ku mbahet të ndaluarit në Stacionin e Ferizajt. Nga të gjeturat del se dhomat ku mbahen të arrestuarit paraqesin rrezik të madh, deri te mundësia e kontaktit me rrymë shkaku i instalimit të dobët.

“Dhoma është në kushte jo të mira fizike, kishte pluhur dhe mungesë të ngrohjes funksionale, me derë metali me grila. Dhoma nuk i plotëson standardet minimale për mbajtje dhe trajtim me dinjitet të personave të ndaluar përkohësisht. Sa i përket kushteve të sigurisë, vërehej se nuk kishte ulëse apo karrige statike, por dy të tilla ishin lëvizëse, instalimi i rrymës në dhomë paraqiste rrezik për faktin se personat e ndaluar shumë lehtë mund të kenë kontakt me kabllot e rrymës, e cila ishte varur në tavanin e dhomës”.

“Radiatori i ngrohjes i montuar në dhomë, kishte skaje të mprehta, por që paraqet rrezik potencial për vetëlëndim të personave të ndaluar. Mbi bazën e këtyre gjetjeve IPK vlerëson se dhoma (qelia) në Stacionin Policor në Ferizaj nuk i plotëson kushtet minimale fizike të sigurisë për mbajtjen e personave dhe trajtimin e të ndaluarve përkohësisht”, përfundon raporti i IPK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore