Lajme

IPK-ja suspendon 3 policë, u shoqëruan me persona të dyshuar për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës


Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar tre zyrtarë policorë të cilët sipas publikimit të një video në media, dyshohet janë shoqëruar me persona të dyshuar për nxitje të vrasjes së ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza.

“Lidhur me rastin është informuar Prokuroria e Shtetit, ndërkaq në interes të zhvillimit të hetimit IPK ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë. Veprimet e tjera hetimore do të ndërmerren sipas autorizimeve ligjore të IPK-së”, thuhet në njoftim.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër.

Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore