Lajme

Intervistë “tokësore” me çunin nga Marsi


“Shqiptarë gjen edhe në mars”, më nuk do të jetë vetëm metaforë për të përshkruar lëvizjet e mëdha të shqiptarëve gjithandej botës.

Tashmë është një realitet në bërje dhe një projeksion që do të shndërrohet në fakt diku rreth vitit 2026.

Bennet Nura, shqiptari 19 vjeçar me prejardhje nga Prishtina, kur t’i mbushë mbi 25 vjet edhe zyrtarisht mund të jetë një marsian.

Ai ka lindur në Holandë. Meqë është student i Shkencave Kompjuterike moti kishte zhvilluar interesim për jetën jashtë tokës dhe universin në përgjithësi.

Por, kalimin nga një ëndërr drejt realiteti, Bennetit ia mundësoi një konkurs i NASA-s, Agjencia Nacionale Amerikane e Aeronautikës dhe Administrimit të Hapësirës.

“Unë jam regjistruar dhe kam dhënë informatat për kualitetet e mia”, thotë Nura për Albanian Post, kur pyetet se si u bë që ishte një nga 100 mijë të pazgjedhurit e konkursit.

“Mbase jam zgjedhur në bazë të kualiteteve të mia, mirëpo NASA i ka edhe arsyet e veta përse më ka përzgjedhur edhe mua”.

Cilado kualitetet të jenë marrë parasysh, pos tyre do të duhej secili i përzgjedhur të kishte shumë fat.

100 mijë veta u përzgjodhën, por plot 12 milionë konkurruan dhe, siç tregon vetë Nura, “përzgjedhja më shumë ka qenë në formë lotarie”.

Ideja e këtij konkursi ishte që të zgjidhen 100 mijë banorë virtualë të Marsit nga e gjithë bota. Pra nëss planeti Mars bëhet ndonjëherë i banueshëm, këta të përzgjedhur, do të jenë të parët që kanë të drejtë banimi atje.

Benneti tha se në vitin 2026, fillimisht do të udhëtojnë shkencëtarët e parë për në Mars, dhe ata do të kenë për detyrë që të përgatisin kushtet fillestare për jetesë atje, proces i cili pritet të zgjasë rreth dy vjet.

Dhe në fund Benneti u pyet nëse do të jetë edhe flamuri i Kosovës, si pjesë e këtij udhëtimi.

“Natyrisht që flamuri i Kosovës do të jetë në valixhet e mia, së bashku me gjërat që do të marr”, përfundoi Bennet Nura për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore