Lajme

Intervistë me Martin Browning, një nga ushtarët e parë të NATO-s që shkeli në Kosovën e çliruar


Ilustrim: Martin Browning

Pasi Serbia kapitulloi dhe kasapi i Ballkanit, Slobodan Milosheviç-i pranoi kushtet e një plani ndërkombëtar paqeje për të ndaluar luftimet në Kosovë (Marrëveshja e Kumanovës) një numër i madh i trupave të NATO-s në mesin e të cilëve edhe ushtaraku britanik, Martin Browning, u futën në Kosovë.

Ajo me çka u përballë në Kosovë në ditët e para si pjesë e Misionit të NATO-s, KFOR-it, ishin fytyrat e buzëqeshura të qytetarëve që pritnin me ovacione paqeruajtësit perëndimor në njërën anë dhe qytete të tëra të shkatërruara nga lufta e pakampromis e një agresori siç ishte Serbia, në anën tjetër.

“Shumë shtëpi ishin dëmtuar ose shkatërruar dhe një numër i konsiderueshëm ishin bllokuar me mjete shpërthyese. Javët e para ishin të vështira për të bërë ndonjë përparim, ishte një kohë e vështirë. Çdo aspekt i jetës moderne ishte shkatërruar dhe i ndërprerë si rezultat i armiqësive”, kujton ato kohë Browning në një intervistë për Albanian Post.

Browning, tash nënkolonel i Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar, sjell ndërmend për Albanian Post një ndër momentet më vendimtare që trasoi rrugën e Pavarësisë së Kosovës – rimarrjen e Aeroportit të Prishtinës i okupuar nga ana e Ushtrisë së Rusisë.

I pari i cili u zgjodh për të dialoguar me rusët ishte pikërisht, Browning, i cili ndërsa rrëfen ato momente, thotë për AP se “situata ishte e tensionuar dhe për një kohë të shkurtër mendova se mund të isha dëshmitar i fillimit të Luftës së Tretë Botërore”.

“Një makinë e blinduar ruse (BTR) kishte bllokuar hyrjen në kullën e kontrollit, më thanë të shkoja t’i kërkoja të lëviznin. I pyeta me mirësjellje, por më thanë jo! Pak kohë më vonë ndodhi një incident, ekuipazhi i BTR-së karikoi armët gati për gjuajtur dhe drejtoi mitralozin e rëndë të BTR-së në automjetet e blinduara britanike”, tregon ai.

Një situatë e paharruar dhe moment turpi për të, siç tregon ai, ka qenë një bisedë e tij me një të moshuar kosovar, në ditët e para të shërbimit të tij në Kosovë.

“Një zotëri i moshuar po përpiqej të më tërheqë vëmendjen, ai ishte i sjellshëm, por këmbëngulës. Isha i rraskapitur dhe i vrazhdë me të. Përkthyesi im më shpjegoi se gjithçka që donte ishte 7 çanta trupash për të varrosur të gjithë familjen e tij. Ai ishte ndarë prej tyre, kur u kthye në shtëpinë e tij gjeti trupat e tyre në pus. Gjithmonë jam ndjerë i turpëruar për atë incident”, rrëfen Browning.

Tash 25 vjet pas, Browning shprehet i habitur se si Kosova është modernizuar dhe ndryshuar për të mirë.

Ndërsa, porosit që Kosova dhe Serbia të bëjnë të pamundurën dhe të arrijnë paqe mes tyre, duke shikuar përpara pa paragjykime.

Intervista e plotë e Albanian Post me Martin Browning

Albanian Post: Si ndodhi ardhja juaj në Kosovë dhe me çfarë u përballët në ditët e para të misionit tuaj?

Martin Browning: Unë isha vendosur në Maqedoninë e Veriut në prill 1999. Si inxhinier i ushtrisë isha i përfshirë në ndërtimin e kampit të refugjatëve në Stenkovac në aeroportin në veri të Shkupit, ne u përpoqëm të mirëmbajmë fluksin e pafund të njerëzve që detyroheshin të vini nga Kosova. Kam punuar ngushtë me UNHCR-në, i kemi mbështetur me mjete ushtarake për të mbajtur kampin në funksion. Detyra ime e parë në Kosovë (pas incidentit në aeroport) ishte të ndihmoja UNHCR-në dhe agjencitë e tjera të refugjatëve me një numër të madh njerëzish të dëshpëruar që dëshironin të ktheheshin në shtëpitë e tyre.

Albanian Post: Në çfarë gjendje e gjetët Kosovën dhe cilat ishin vështirësitë me të cilat u përballët?

Martin Browning: Forcat e Armatosura të Jugosllavisë (VJ), Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MUP), SUP dhe grupet paramilitare ishin ende në Prishtinë kur arritëm. Më caktuan të takohesha me Policinë tonë Ushtarake Britanike në stacionin qendror të policisë, mbërrita pak herët dhe u befasova kur pashë MUP-in ende brenda. Kur Policia Ushtarake Britanike mbërriti, MUP-it iu tha të largoheshin, ata e bënë këtë menjëherë pas. Shumë shtëpi ishin dëmtuar ose shkatërruar dhe një numër i konsiderueshëm ishin bllokuar me mjete shpërthyese. Javët e para ishin të vështira për të bërë ndonjë përparim, ishte një kohë e vështirë. Çdo aspekt i jetës moderne ishte shkatërruar dhe i ndërpre si rezultat i armiqësive. Kishte 2 Brigada të plota Britanike në Prishtinë (mendoj rreth 12 mijë trupa), një sasi e madhe e fuqisë sonë punëtore u kanalizua për funksionalizimin e qytetit në të gjitha aspektet, nga asistenca me termocentralin deri te vendosja e personelit mjekësor në spitale.

Albanian Post: Ishte kontigjenti i Ushtrisë së Britanisë së Madhe ai i cili fillimisht u dislokua në Aeroportin e Prishtinës, ku tashmë ushtarakë të Ushtrisë së Rusisë kishin marrë nën kontroll këtë pikë strategjike, si u zhvillua ngjarja dhe u arrit pajtimi me rusët?

Martin Browning: Isha pjesë e Brigadës 4 të Blinduar, ekipi i komandantit që shkoi në aeroport për të takuar rusët. Unë u zgjodha për të shkuar sepse isha i vetmi oficer që kisha njohuri të gjuhës ruse (njohuri bazike). Një makinë e blinduar ruse (BTR) kishte bllokuar hyrjen në kullën e kontrollit, më thanë të shkoja t’i kërkoja të lëviznin. I pyeta me mirësjellje, por më thanë jo! Pak kohë më vonë ndodhi një incident, ekuipazhi i BTR-së karikoi armët gati për gjuajtur dhe drejtoi mitralozin e rëndë të BTR-së në automjetet e blinduara britanike. Situata ishte shumë e tensionuar dhe për një kohë të shkurtër mendova se mund të isha dëshmitar i fillimit të Luftës së Tretë Botërore! Situata u de-përshkallëzua dhe pak më vonë mbërriti gjenerali (Mike) Jackson dhe filloi negociatat me komandantin rus. Fillimisht gjenerali Jackson u përpoq të krijoi një raport me rusët, pas një kohe ai hapi një shishe me uiski skocez dhe negociatat filluan. Vetëm kur rusëve u mbaruan uji dhe karburanti, ata lejuan hyrjen. Ata nuk mund të rifurnizoheshin sepse plani i tyre për të fluturuar në Prishtinë ishte bllokuar nga vendet përreth duke mos i dhënë hapësirë ajrore avionëve ushtarakë rusë.

Albanian Post: Që nga ditët e para të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë e deri më sot në qarqet akademike diskutohet mungesa e ligjshmërisë së këtij intervenimi, si do të argumentonit të kundërtën qoftë nga një përjetim të tuajin në ditët e para pasi keni filluar misionin tuaj në Kosovë?

Martin Browning: Britania ka pasur vetëm një kryetar shteti republikan (1653-1658), Oliver Cromwell, pasi erdhi në pushtet me qëllime të mira, ai u shndërrua në një tiran, por ai bëri një deklaratë interesante “Nevoja nuk ka ligj”. Në ditët e para në Kosovë, një zotëri i moshuar po përpiqej të më tërheqë vëmendjen, ai ishte i sjellshëm, por këmbëngulës. Isha i rraskapitur dhe i vrazhdë me të. Përkthyesi im më shpjegoi se gjithçka që donte ishte 7 çanta trupash për të varrosur të gjithë familjen e tij. Ai ishte ndarë prej tyre, kur u kthye në shtëpinë e tij gjeti trupat e tyre në pus. Gjithmonë jam ndjerë i turpëruar për atë incident.

Albanian Post: Për 2 vjet ju keni qenë këshilltari i Komandantit të FSK-së, nga eksperienca juaj si do ta përshkruanit FSK-në, ka kapacitetet të mjaftueshme për t’u bërë një ushtri moderne dhe profesionale?

Martin Browning:  Pjesëtarët e FSK-së janë shumë të motivuar, kërcënimi (i perceptuar apo ndryshe) nga Veriu është një motivues i fuqishëm. Ata që zgjodhëm për trajnim në Mbretërinë e Bashkuar ishin vazhdimisht performuesit më të lartë dhe morën nota mbresëlënëse. FSK-ja ka një plan ambicioz 10-vjeçar për t’u rritur dhe profesionalizuar. Kam besim se do të jetë një forcë moderne dhe e aftë, shumë e aftë për të kontribuar në dislokimet ndërkombëtare me Kombet Aleate. Do të vendosesha kudo në botë me FSK-në, e di që nuk do të më lëshonin.

Albanian Post: Tash kur është krijuar një distancë nga koha që keni shërbyer si ushtarak në Kosovë në kuadër të NATO-s, në një reflektim tuajin, çfarë mendoni se janë të arriturat më të mëdha të Kosovës qysh nga paslufta, por edhe ngecjet më të mëdha?

Martin Browning: Kosova është një vend shumë i ndryshëm nga viti 1999, unë u habita se si vendi është modernizuar dhe ndryshuar. Një popullatë e re, dinamike, e mirë-arsimuar me nivele shumë të larta të shkrim-leximit në gjuhën angleze, e cila është një vlere fantastike. Ndërsa ngecjet janë kryesisht të jashtme. Shtetet mos njohëse janë një çështje madhore, edhe brenda NATO-s dhe BE-së.

Albanian Post: Tash e 25 vjet Kosova dhe Serbia nuk po mund t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre ndërsa ka tendenca që situata mes dy vende mund të eskalojë në një konflikt, cili është sugjerimi juaj për të dyja vendet?

Martin Browning: Historia mund të jetë një bekim dhe një mallkim, e di se jam britanik. Të dy vendet do të duhet të bëjnë pothuajse të pamundurën dhe të shikojnë përpara pa paragjykime, kjo mund të bëhet vetëm nëse historia (e fundit) vendoset në kontekstin e duhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore