Lajme

Inteligjenca ukrainase: Putin e shtyu tre herë sulmin ndaj Ukrainës, këmbënguli FSB-ja


Presidenti rus Vladimir Putin shtyu tre herë një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës, ndërsa iniciatori i sulmit ishte Shërbimi Federal i Sigurisë i Federatës Ruse.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta gjermane “Bild”, duke cituar intervistën me Zëvendës Shefin e Drejtorisë kryesore të Inteligjencës së Ukrainës (GUR), Vadym Skibitsky.

“Sipas informacioneve tona, sulmi u shty tre herë, herën e fundit – në mes të shkurtit”, u shpreh zyrtari ukrainas.

Sipas Skibitsky-t, Putin diskutoi vazhdimisht idenë e një pushtimi me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Federatës Ruse, Valery Gerasimov dhe ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, por ishte FSB-ja ajo që insistoi.

“Ata (punonjësit e FSB-së) ishin të sigurt se ishin përgatitur mjaftueshëm për pushtimin. Ata investuan burime të mëdha dhe e shtynë Gerasimov-in të sulmonte. Fakti që njësitë ruse u pajisën me ushqim, municion dhe karburant për tre ditë (gjatë përpjekjes për të kapur Kievin) tregon se sa keq i bënë llogaritë ata”, vijon zyrtari ukrainas.

Ai sqaroi se të gjitha objektivat e para (ushtarake) dështuan.

“Ata nuk mundën të rrethonin Kievin, nuk mund të merrnin Sumy-n, Chernihiv-in dhe Kharkiv-in”, vëren Skibitsky.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore