Lajme

Inteligjenca britanike tregon arsyet e tërheqjes së trupave ruse nga Kiev-i


Deklaratat ruse për një ulje të aktivitetit rreth Kiev-it (kryeqyteti ukrainas) dhe raportimet për tërheqjen e disa njësive ruse nga këto zona mund të tregojnë se Kremlin-i ka njohur humbjen e iniciativës në rajon.

Lajmi bëhet i ditur nga inteligjenca britanike.

Siç vë në dukje raporti i inteligjencës britanike, dështimet e përsëritura ruse dhe kundërsulmet e suksesshme nga forcat ukrainase “pothuajse me siguri nënkuptojnë se ofensiva ruse nuk e ka arritur qëllimin e saj për të rrethuar Kiev-in”.

“Ka shumë të ngjarë që Rusia të kërkojë të tërheqë forca luftarake nga veriu për ofensivën e saj në rajonet Donetsk dhe Lugansk në lindje”, parashikon inteligjenca britanike.

Udhëheqja e Forcave të Armatosura të Ukrainës sugjeron që duke u bërë rotacion njësive individuale, “armiku dëshiron të krijojë një iluzion të rremë se ka braktisur planin për të rrethuar Kiev-in”.

Më herët, autoritetet amerikane deklaruan se forcat ruse filluan të tërhiqen nga periferia afër Kiev-it dhe të përqendrohen në pozicionet në jug dhe lindje të Ukrainës.

Nga ana tjetër, Departamenti amerikan i Mbrojtjes paralajmëroi se tërheqja aktuale “e supozuar” e një pjese të trupave ruse nga drejtimet e Kievit dhe Chernihiv-it mund të tregojë një rigrupim të forcave armike për një sulm të ri.

Edhe delegati rus Vladimir Medinsky, njoftoi më 29 mars, një reduktim të supozuar të kontigjentit në drejtimet e Kiev-it dhe Chernihiv-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore