Lajme

Insiston Bislimi: Kryetarët mund të punojnë vetëm nga ndërtesat e komunës


Zëvendëskryeministri Kosovës, Besnik Bislimi, përkundër situatës së tensionuar në komunat veriore të Kosovës, ka thënë se kryetarët duhet të ushtrojnë pёrgjegjёsitё e tyre vetëm nga ndërtesat e komunës.

“Në lidhje me situatën në veri, u ritheksua se është e rëndësishme që kryetarët e zgjedhur të fillojnë sa më parë me ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Si kryetarë tё komunave, ata mund tё ushtrojnë pёrgjegjёsitё e tyre vetëm nga ndërtesat e komunës, nga ku dhe shërbejnë për interesat e secilit qytetar pa dallim”, tha Bislimi gjatë takimit me Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka njoftuar zyra për media e Qeverisë.

Po ashtu Bislimi, theksoi se “institucionet tona janë të matura”, të gatshme dhe të përgatitura për të kontribuar pozitivisht në përmbushjen e hapave të nevojshëm në kuadër të procesit të integrimit dhe avancimit tutje në proces.

Bislimi e informoi Cramon-in edhe mbi procesin e dialogut dhe takimin e fundit të mbajtur në Bruksel me 15 maj, derisa eurodeputeten gjermane ai e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, veçanërisht në liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe BE.

“Raportet e fundit të publikuara, siç është edhe ai i PE-së për Kosovën, përmbante mesazhe pozitive për vendin dhe vlerësime në integrim evropian, ekonomi, financa, agjendën legjislative e arsim ndër shumë fusha të tjera të përfshira”, thuhet në njoftim.

“Përkrahja që vjen nga Parlamenti Evropian, është i çmueshëm për rrugëtimin evropian të Kosovës, e cila ecën paralelisht dhe me vizionin e vendit tonë drejt BE-së dhe suportin e qytetarëve të Kosovës ndaj integrimit në BE”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore