Aplikacione

India në luftë me mediat sociale


Mediat sociale të kryesuara nga Facebook-u dhe Twitter-i u përballën me rregulla të reja të rrepta në Indi.

Agjensia e lajmeve, CNN, shkruan se rregullat e reja kërkojnë që çdo kompani e mediave sociale të krijojë tre role në Indi.

I pari ka të bëjë me oficerin e pajtueshmërisë, i cili do të sigurojë që kompanitë e mediave sociale ndjekin ligjet lokale. Ndërkohë, oficeri i ankesave do të adresojë ankesat nga përdoruesit indianë për platformat e tyre. Ndërsa personi i kontaktit do të jetë 24 orë në dispozicion të zbatimit të ligjit indian.

Përpos këtyre tre roleve, kompanitë e mediave sociale duhet të publikojnë një raport mujor pajtueshmërie, i cili do të jetë i detajuar për ankesat që kanë mbërrritur dhe veprimet që janë ndërmarrë.

Gjithashtu, atyre do u kërkohet të heqin disa nga përmbajtjet e tyre duke përfshirë postimet që përmbajnë “lakuriqësi të plotë ose të pjesshme, akte seksuale ose mashtrim përmes imazheve”.

Sipas CNN, rrjeteve të mëdha sociale bazuar në numrin e përdoruesve do u lihet një afat kohor tre mujor për të respektuar ndryshimin, ndërsa rrjetet me numër përdoruesish më të pakët kërkohet qe ta zbatojnë rregullin në mënyrë të menjëhershme

Këto ndryshime pasojnë periudhën e tensionuar mes platformës Twitter dhe qeverisë indiane ku platforma rivendosi disa llogari të cilat qeveria kishte urdhëruar të bllokoheshin. Llogaritë kishin lidhje me ptotestat e fermerëve kundër reformave bujqësore.

Mirëpo, rregullat shihen edhe në një rrafsh më të gjerë duke sinjalizuar vullnet më të madh nga vendet e ndryshme të botës për të frenuar kompanitë e mëdha teknologjike nga fuqia që kanë marrë.

“Mediat sociale janë të mirëpritura për të bërë biznes në Indi, kanë bërë shumë mirë duke sjellë biznese dhe një numër të madh përdoruesish duke fuqizuar indianë të zakonshëm”, ka thënë ministri i elektronikës dhe teknologjisë së informacionit, Ravi Shankar Prasad.

Gjithsesi, ministri ka shtuar se ka vend edhe për kritika. Sipas tij, kompanitë teknologjike duhet të tregojnë më shumë vëmendje ndaj abuzimit dhe keqpërdorimit të mediave sociale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore