Shqipëria

“Incidenti i maskës së Edi Ramës” – Spiegel shkruan mbi eskortimin e kryeministrit jashtë avionit nga Policia gjermane


Gazeta e njohur gjermane “Spiegel”, ka publikuar një artikull mbi një incident që ka ndodhur në një fluturim nga Frankfurti drejt Detroitit, ku protagonisti kryesor ka qenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Sipas gazetës gjermane, ngjarja ka ndodhur në dhjetor të vitit 2021, kur vendi ka qenë duke u përballur me valën e katërt të COVID-19. Në mënyrë të detyrueshme në atë kohë, pasagjerëve u është kërkuar të vendosin një maskë kirurgjikale ose të llojit FFP2, por kryeministri shqiptar, ka pasur të vendosur thjesht një maskë pëlhure.

Në atë çast, stafi i fluturimit i ka kërkuar Ramës të vendosë maskën e llojit të përcaktuar, por sipas “Spiegel”, ai ka refuzuar.

Më pas, ka ndërhyrë edhe piloti i avionit, por sërish kryeministri ka refuzuar të vendosë llojet e maskave të përcaktuara.

Më pas, në detyrë është thirrur Policia Federale gjermane, e cila ka kryer shoqërimin e Ramës dhe stafit të tij me 10 persona, jashtë avionit.

Një ndërhyrje, ka pasur edhe nga një zyrtar i lartë i Zyrës së Jashtme Federale sipas medias gjermane, i cili duke biseduar me Ramën, ka arritur në një akord.

Por, jo për t’u kthyer në të njëjtin avion.

Kompania gjermane e fluturimeve, Lufthansa, ka rezervuar bileta për një fluturim tjetër të të gjithë stafit.

Vetë bosi i Lufthansës, Carsten Spohr, sipas “Spiegel”, ka pohuar për gazetën gjermane se incidenti ka ndodhur, por nuk ka pasur trajtim preferencial për askënd.

Megjithatë, një reagim nga drejtori i Agjencisë për Median dhe Informimin, Endri Fuga, ka ardhur menjëherë pas publikimit të lajmit.

Ai ka publikuar një email të kompanisë Lufthansa, ku reflektohet nga vetë kompania një kërkesë ndjese për Ramën mbi incidentin e ndodhur.

Po ashtu, aty shkruhet se incidenti, nuk ka qenë i lidhur me vendosjen e maskës, por me “sjelljen e pahijshme të një prej anëtarëve të ekuipazhit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore