Kulturë

Ina dhe rrëfimi për kthimin


Kaq pak?!

Këto ishin të parat fjalë që desh e bindën atë se kaq ishte vërtet.

Atë, vajzën flokartë të teatrit. Atë, që nuk i tremben gjunjët sa herë i përplas në shtrojën e drunjtë e që nuk i dridhet zëri sa herë këlthet me tingujt e rolit. Atë, Ina Gjoncin.

Për të, përballja me pandeminë që i mbylli dyert e teatrove e skenave, veç pak kohë pasi i gëzohej hyrjes në trupën e Teatrit Kombëtar, nuk u kursye me kaq.

Ina i jep emrin “Heshtje” kësaj mbylljeje dhe tregon për Albanian Post se kjo përkoi edhe me një rrugëtim të ri të sajin mbi mënyrën e të qenit pjesë e skenës.

Një nismë krejtësisht vetjake që mbante titullin “Letër ndaj fëmijës që nuk u lind kurrë” asokohe kish kapërcyer pritshmëritë e saj më të brishta dhe kish shkërmoqur pikëpyetjen që e mundonte vazhdimisht se “sa njerëz do përqafonin një shfaqje me buxhet zero e me një aktore të vetme?”.

Ky momentum e kish ndezur ambicien e saj për t’i dhuruar më shpesh kohë vetes në skenë e pse jo, kujtdo tjetër që ngjashëm si ajo nuk do kish ndrojë për t’u “hedhur”.

Por… ja që ca lakuriq nate në Wuhan kishin plane të tjera dhe Ina e gjeti veten “të kyçur… brenda… vetes”.

Ajo, vajza shpërthyese e teatrit, beson fort se arti, sidomos ai dramatik, merr kuptim veç atëherë kur ndahet me ata, të cilët qëndrojnë të ulur në errësirën e sallës.

Beson edhe që kjo nuk i bën aktorët “martirë që digjen për hir të tjetrit”. E për këtë përmend Frojdin, i cili ka thënë dikur se të bërit art është shpalosja më e epërme e psikozës nervore dhe vanitetit njerëzor.

Ina rrëfen se:

“As në ëndrrat më të kobshme nuk e kisha menduar jetën time në pamundësi absolute për të bërë atë që në mos di ta bëj më mirë, atë që më gëzon teksa e bëj.

Heshtja nuk më bëri të mendoj për çështje madhore si arti, bota apo njeriu, por më vuri ballë domosdoshmërisë sime për të thënë të vërtetat në të vetmen mënyrë gjeniale që njoh, përmes trillit artistik”.

Mbrojtja që i jepte marrëdhënia institucionale me Teatrin Kombëtar, nuk e përjashtonte as zbrazëtinë, përhumbjen, çastet depresive që sillte goditja ndaj profesionit, që për të është më shumë se kaq.

“Është mënyrë jetese, mënyrë të menduari, të ndjeri…”, sepse është më shumë se aq.

Edhe pse kur e pyesin se ç’po bën, Ina përgjigjet se ende është në përpjekje për t’u bërë aktore, e vetmja e vërtetë që njihte e që njeh është përpjekja për të gjetur një rrugë, qoftë edhe e padukshme apo sa një fije floku, përmes së cilës “të flasë”.

Prandaj dhe nuk priti dot që jeta e saj të kthehej ashtu si më parë, paçka se asgjë nuk do të ishte si më parë.

Kështu, brenda caqeve dhe rregullave në mbrojtje të spektatorëve, Ina nisi rrugëtimin drejt hapësirave që shndërroheshin në skena, vetëm për të e për ata spektatorë bashkudhëtarë.

Ajo tregon se:

“Gjinia e ‘Stand up-it’, nga e cila gjithmonë kisha mbajtur një distancë prej mosnjohjes, u shndërrua në një formë komunikimi që më dukej me vend, në një kohë kur njeriu ‘shijonte’ veç shfaqje statistikash që dukeshin si të dala nga llogoret e veprave të Remark-ut.

Mbase bota nuk fitoi një ‘komediane’, po unë mësova të bëj diçka ndryshe.

Mendimi i palëkundur se teatri online nuk ka shijen e teatrit që ndodh aty për aty, nisi të lëkundej ca teksa ndiqja në internet produksionet madhështore të National Theater.

Çdo video streaming me Teatrin Kombëtar, në një kohë lufte, kish fytyrën e armëpushimit”.

Ja pra që, karshi mbylljes, ajo zgjodhi të kishte qasjen e të qenit e hapur e të prekte vërtet ndjesinë se jo vetëm në dashuri, por edhe në art, lejohet gjithçka. Sado e “sheqerosur” të tingëllojë Ina me këtë.

Arsyeja sipas Inës? Teatri e ka vetinë të marrë forma e ngjyra të panumërta. Ngjashëm si uji që merr formën e enës e nëse atë e thyen, niset një rrugëtim i papritur e drithërues.

Për të, edhe nëse duket patetike, ndjen se patetizmit po i vjen fundi, duke qenë se ndjen nevojën të ravijëzojë tanimë se kaq mjafton.

Ajo kujton fabrikat dhe ndërmarrjet, të cilat u mbyllën të fundit e u hapën të parat, por… edhe disa syresh që nuk u mbyllën kurrë.

Dhe se respekti i palëkundur ndaj atyre që, për hir të bukës së gojës, zgjoheshin çdo mëngjes për të shkuar në punë nëpër fabrika e fasoneri, për pak sa e bëri të harronte se të qenit artist nuk përbënte përjashtim nga e njëjta përpëlitje për mbijetesë.

Brenda saj, valenca e artistes së pavarur ishte ende e gjallë. Madje, beson se kështu do të jetë përherë. Madje-madje, do të shqetësohej nëse do të ishte ndryshe pasi lidhja me skenën nuk kish qenë asnjëherë vetëm institucionale.

“Mes atyre që patën ‘mbrojtjen’ e vendit të sigurt të punës e atyre që nuk e patën, teatri e gjeti veten ballë humnerës”, rrëfen Ina.

Tanimë, ajo nuk e di nëse flitet për një hapje kur teatri ende lejohet veç nën qiell të hapur e rrjedhimisht të korrat varen veç nga parashikimi i motit.

Ina flet për një “Meteo-teatër”.

Çdo çast në histori shënon një “lëvizje” edhe për teatrin, për mënyrën si ai bëhet, që nga produksioni teknik, mendimi artistik, e gjer tek aura… aq e vështirë sa Ina nuk e përkthen në fjalë.

Ajo, vajza që e do teatrin, tregon se është çasti t’i iket simbolit të vjetër të divanit, simbolit të shtëpisë, të mbylljes, dhe të shkohet drejt dinamikës, energjisë e gjallërisë.

“Do doja shumë që pandemia dhe trishtimi që ajo solli të ishin pasuri përmes së cilës të krijojmë e të frymëzohemi për të qenë ndryshe”, se fundja për të, asgjë nuk do të jetë si më parë.

E pavarësisht kësaj, puna ka nisur.

Edmond, shkruar nga Alexis Michalik, i ka sjellë gëzim ashtu sikurse nuk i mungojnë as çastet e lodhjes, apo dorëzimit…“si përherë gjatë provave” të saj.

Kjo me regji nga Indrit Çobani e Andia Xhunga. Kështu që në tetor, Ina pret që në premierë, të hapet perdja e të ndizen dritat e skenës.

Në sallë. Në teatër. Tek Ina.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore