Shqipëria

In Memoriam: Kur vizita e Powell shkaktonte zili në rajon dhe radhë për foto në ambasadë (Video)


Data shënonte 2 maj dhe ishte viti 2003. Shqipëria mirëpriste asokohe një nga njerëzit më me ndikim në politikën e kohës dhe jo vetëm – Colin Powell në postin e Sekretarit Amerikan të Shtetit.

Kroacia, Maqedonia (Maqedonia e Veriut) dhe Shqipëria sapo kishin nënshkruar partneritetin Adriatik – një portë hapëse e asaj që do të vinte më pas – aderimi në NATO.

Gjatë një konferencë shtypi në Tiranë, të gjithë reporterët kroatë dhe maqedonas donin të dinin pse Powell kishte mbërritur në Shqipëri dhe jo në shtetet e tyre respektive.

Nga raportimet e Albanian Daily News (ADN), vizita e Powell destabilizoi edhe Shqipërinë.

“Kjo ka ndezur përsëri rivalitetin e vjetër midis krerëve të qeverisë shqiptare”, shkruante ADN-ja në ballinën e saj.

Kryeministri Fatos Nano e përdori vizitën për të “eklipsuar” presidentin Alfred Moisiu dhe ministrin e Jashtëm Ilir Meta.

Shkak i kësaj u bë nënshkrimi i “Kartës së Adriatikut” mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Ai që nënshkroi ishte Fatos Nano dhe jo Meta.

Sekretari Colin Powell takohet me Presidentin e Shqipërisë, Alfred Moisiu në New York City, 25 shtator 2003
Arsyeja e vizitës

Colin Powell nënshkroi një marrëveshje që përjashtonte amerikanët nga dorëzimi në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC).

Shqipëria bëhej shteti i dytë në Evropën juglindore, pas Rumanisë, dhe i 32-të që nënshkruante një marrëveshje të tillë me SHBA-të.

Edhe pse ishin pjesë e krijimit të Statutit të Romës – që pasoi ngritjen e ICC-së – Shtetet e Bashkuara nuk e njohën asnjëherë ICC-në.

Për autoritetet amerikane ICC-ja ende nuk ka juridiksion, asnjë legjitimitet dhe asnjë autoritet.

Por, marrëveshja me Shqipërinë, Maqedoninë (Maqedoninë e Veriut) dhe Kroacinë synonte, sipas Powell, t’i ndihmonte ata në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në NATO.

“SHBA-të do të bëjnë gjithçka është e mundur për të ndihmuar qytetarët e Shqipërisë, Maqedonisë (Maqedonisë së Veriut) dhe Kroacisë që të përmbushin potencialin e tyre dhe të përfundojnë udhëtimin e tyre përsëri në zemër të Evropës”, theksonte Powell gjatë nënshkrimit.

Asokohe, kjo kartë shihej pjesërisht si një “formë ngushëllimi”, për shkak të lënies përkohësisht jashtë procesit të zgjerimit të NATO-s.

Në të njëjtën kohë, ai shfrytëzoi rastin për të falënderuar udhëheqjen shqiptare për mbështetjen e tyre në atë kohë – për luftën e udhëhequr nga SHBA-të në Irak.

Shqipëria ishte ndër vendet e para nga shumë vende të Evropës Lindore që mbështeti luftën.

Powell u prit nga mijëra shqiptarë që brohorisnin, disa mbanin flamuj amerikanë.

Shqipëria “e vlerësuar” jo e privilegjuar

Sipas korrespondentit të BBC-së, Gabriel Partos, zgjedhja për të nënshkruar marrëveshjen në Shqipëri ishte për të treguar vlerësimin e tyre ndaj mbështetjes që kishte dhënë Shqipëria për fushatën ushtarake në Irak.

“Gjithashtu Maqedonia i dha mbështetjen Washington-it zyrtar, por asnjëherë me zë të lartë, dhe Kroacia ishte disi më e paqartë”, nënvizonte Partos.

Megjithëse Kroacia ishte një nga 10 vendet që nënshkruante një deklaratë mbështetjeje para luftës, ajo ishte gjithashtu një nga vendet e pakta ish-komuniste që nuk e hapi hapësirën e saj ajrore për fluturimet ushtarake amerikane.

Për shumë irakianë, emri i Colin Powell lidhet me njeriun që shkoi para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në vitin 2003 dhe justifikoi pushtimin e Irakut duke e cilësuar liderin Saddam Hussein si një kërcënim të madh global.

Ky i fundit posedonte armë të shkatërrimit në masë, madje duke shfaqur një shishkë si armë biologjike.

Fotot në ambasadë

Një nga momentet që kapi më së miri peshën dhe ndikimin e figurës së tij mes punonjësve amerikanë dhe qytetarëve shqiptarë është një video amatore e xhiruar në ambientet e Ambasadës Amerikanë në Tiranë.

Powell shfaqet teksa bën disa fotografi me punonjëset gra që punonin në ambasadë.

Momenti bëhet gazmor kur një burrë tenton të hyjë në kuadrin e fotos dhe sekretari e largon.

Radha për të bërë foton sa vinte dhe shtohej, por kjo vetëm sa përforconte “famën” e Powell në Shqipëri e jo vetëm.

Ardhja e tij “trazoi” rajonin, Shqipërinë dhe punonjësit e ambasadës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore