Shqipëria

ILD kërkesë KLGJ-së për shkarkimin e gjyqtarit të Elbasanit, i uli dënimin një të dënuari përjetë


Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë të mërkurën e 20 prillit i ka kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor që të shkarkojë nga detyra gjyqtarin e Elbasanit Taulant Tafa.

Sipas ILD-së Tafa ka kryer shkelje disiplinore, konkretisht në gjykimin e kërkesës me objekt ulje dënimi për të dënuarin Arben Grori. Ky i fundit ishte dënuar me burgim të përjetshëm.

“Nga analiza ligjore e fakteve të konstatuara gjatë hetimit disiplinor ndaj gjyqtarit T.T., kanë rezultuar një sërë shkeljesh”, thuhej në kërkesën e ILD-së drejtuar KLGJ-së.

Sakaq Tafa sips ILD-së ka shkelur nenin 63 të ligjit nr. 8328 datë 16.04.1998 “Për trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” i ndryshuar, duke i sjellë përfitim të padrejtë në uljen e dënimit dhe rritur fiktivisht kohën e vuajtjes së dënimit.

“Veprimet/mosveprimet e kryera në kundërshtim me ligjin nga ana e gjyqtarit kanë sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë përfitimin e padrejtë nga i dënuari A.G të uljes së dënimit në masën 720 ditë, si dhe cenimin e prestigjit të magjistratit në veçanti dhe cenimin e besimit të publikut te drejtësia”.

Po ashtu nuk ka zbatuar kërkesën e nenit 383 të K.Pr.Penale, sa i takon parashtrimit të shtrembëruar të fakteve dhe rrethanave në mënyrë të dukshme në aktet e nxjerra.

Si dhe mungesë arsyetimi të vendimit, veprime këto të parashikuara si shkelje disiplinore në nenin 102, pika 1, shkronja “dh” si dhe nenin 102 pika 2,  shkronjat “b” dhe “c” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar“.

ILD-ja ka vijuar se në dhënien e vendimit magjistrati nuk i është referuar fakteve në aktet e dosjes, por ka parashtruar në mënyrë të dukshme fakte dhe rrethana të shtrembëruara vetëm për t’iu përshtatur plotësimit të kërkesave formale të nenit 63 të ligjit nr. 8328/1998, i ndryshuar.

Ndërkohë ILD ka analizuar vendimmarrjen 4-vjeçare të magjistratit (2017-2021), me objekt ulje dënimi, dhe konstatoi, se ndryshe ka vepruar gjyqtari në dhënien e 155 vendimeve të tjera, ku shtatë kërkesa janë nga të dënuar me “Burgim të përjetshëm”, e ku janë respektuar kriteret formale ligjore.

“Veprimet/mosveprimet e magjistratit T.T., përbëjnë shkelje shumë të rëndë disiplinore, që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës. Prandaj kërkojmë shkarkimin e tij nga detyra”, përmbyllet kërkesa e ILD-së drejtuar KLGJ-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore