Lajme

IKSHPK: Të gjithë personat që marrin vaksinën anti-COVID, të marrin edhe vaksinën e gripit sezonal


Ilustrim i vaksinës anti-COVID.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë, ka bërë të ditur se personat të cilët marrin dozën përforcuese të vaksinës COVID-19 ose edhe dozën e parë ose të dytën, gjithashtu rekomandohet të marrin edhe vaksinën e gripit sezonal.

“Synimi kryesor është përfshirja me vaksinë të gripit e të gjithë personave me risk të lartë në Republikën e Kosovës për t’i mbrojtur nga viruset e gripit sezonal që mund të parandalohet përmes vaksinimit (VPS) si dhe sigurimin e mbulueshmërisë sa më të madhe me vaksinë”, thuhet në reagimin e IKSHPK-së.

Tutje, IKSHPK ka theksuar edhe rëndësinë e vaksinimit kundër gripit sezonal tek moshat e caktuara.

“Krahas vaksinimit të obliguar me Ligj për fëmijët e grup moshës së caktuar, vaksinimi sipas indikacioneve epidemiologjike dhe trafikut ndërkombëtar ka rëndësinë e vet në parandalimin e përhapjes së sëmundjeve të ndryshme jo vetëm brenda territorit të Kosovës, por edhe nga një shtet në tjetrin”.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Ndërkaq, bëjnë të ditur se nuk duhet të ketë dyshime tek marrja e vaksinave sezonale pasi janë të sigurta.

“Sa u përket praktikave të imunizimit dhe administrimit të vaksinave, ato janë cilësore dhe  procedurat respektohen sipas standardeve ndërkombëtare. Vaksinat e gripit sezonal janë të sigurta, efektive dhe me kosto efektive. Efektet e padëshirueshme pasvaksinale janë të rralla dhe kryesisht minore”.

Ndryshe, në Kosovë, është duke vazhduar vaksinimi me dozë të tretë që ka filluar me nëntë dhjetor.

Ky vendim ka ardhur pas takimit të ministrisë së Shëndetësisë së bashku me Komitetin për imunizim të popullatës me vaksinën kundër COVID-19.

“Doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë. Doza përforcuese jepet  6 muaj pas  marrjes së dozës së dytë”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Dhënia e dozës së tretë do ju jepet edhe personave tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur.

“Doza e tretë u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre apo sëmundjeve shoqëruese me rekomandim të mjekut ordinues”.

Po ashtu, dozën përforcuese dhe dozën e tretë mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjec, sipas interevaleve kohore për dozat e lartë cekura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore