Lajme

IKD: Kuvendi i Kosovës u injorua nga Qeveria, kontrolli parlamentar ka qenë inekzistent


Qeveria e Kosovës

Instituti i Kosovës për Drejtësi (KDI), e ka vlerësuar të dobët përfomancën e Kuvendit të Kosovës gjatë vitit 2022.

KDI-ja, këtë konstatim e ka nxjerrur duke u bazuar në disa programe të cilat nuk janë përfunduar nga Qeveria e Kosovës, njëri ndër to është edhe programi i punës për vitin 2022 edhe pse një program i tillë parashihet me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.

Gjithash nuk është miratuar as programi i punës së sesionit vjeshtor në seancë plenare.

“Seancat e rregullta të Kuvendit janë karakterizuar me vazhdime të shumta të seancave, që përbëjnë 53% të totalit të seancave të rregullta. Kontrolli parlamentar lidhur me punën e qeverisë dhe mbikëqyrjes së institucioneve të pavarura pothuajse ka qenë inekzistent”.

“Në së paku 18 raste, Kuvendi ka dështuar të miratojë raportet vjetore të institucioneve kushtetuese dhe agjencive të pavarura”.

“Po ashtu, ka dështuar në 18 raste të zgjedhë organet kolegjiale dhe inviduale, duke bërë pengesë të funksionimit të tyre”, thuhet në raportin e IKD-së nga monitorimi i punës së Kuvendit për vitin 2022 i cili është prezantuar nga Naim Jakaj.

Teksa, sa i përket llogaridhënies së Qeverisë përballë Kuvendit, IKD-ja ka thënë se ka gjetur se Kuvendi u injorua nga Qeveria.

Derisa kryetari i Kuvendit apo Kryesuesi i seancës nuk morën masa ndaj Qeverisë, ashtu siç kërkohet me Rregullore.

“Edhe kjo legjislaturë, është karakterizuar nga gjuha jo parlamentare, polarizimi i skajshëm ndërmjet deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe po ashtu ndërmjet deputetëve dhe kabinetit qeveritar”.

Sa i përket llogaridhënies dhe transparencës nga KDI është thënë se vazhdon “të mbetet sfidë”.

“Mbledhjet e komisioneve parlamentare vazhdojnë të mos transmetohen nga Kuvendi. Ndërsa jashtë funksionit mbetet votimi elektronik në seancat plenare, duke pamundësuar informimin e qytetarëve për votat e tyre”.

Sipas IKD-së edhe puna e Kuvendit është përcjellur me joefikasitet.

“Në secilën seancë plenare, projektligjet janë bartur nga një seancë në tjetrën për shkak të mungesës së kuorumit nga ana e shumicës parlamentare dhe mos pjesëmarrjes së opozitës në procesin e votimit. Në fund të vitit 2022, Kuvendi nuk i ka shqyrtuar në parim nëntë projektligje dhe në lexim të dytë dy projektligje”.

“Përkundër faktit që i ka shqyrtuar, Kuvendi nuk ka arritur të vendosë për tre projektligje në lexim të parë dhe për një projektligj në lexim të dytë. Këto projektligje janë bartur për shqyrtim dhe votim në sesionin pranveror të vitit 2023”.

“11% e projektligjeve janë miratuar në procedurë të përshpejtuar, ku në të shumtën e rasteve, përshpejtimi u propozua nga GP i LV-së”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore