Shqipëria

IGJEUM: Reshje intensive nga data 8 deri më 12 shkurt


Nga data 8 deri më 12 shkurt 2021 priten rritje të prurjeve të lumenjve. Kjo do të vijë si pasojë e reshjeve intensive që do të prekin vendin dhe nga shkrirja e dëborës në zonat malore.

“Në basenet e lumenjve Drin dhe Buna, pritet rritje e ndjeshme e prurjeve. Do të rritet rreziku nga situata e përmbytjeve, në zonën e Nën-Shkodrës edhe zonave afër Liqenit të Shkodrës. Në lumenjtë e tjerë në gjithë territorin, pritet gjithashtu rritje e prurjeve”, ka njoftuar Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), në median sociale “Facebook”.

Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM-i sipas llogaritjeve të fundit hidrologjike. Shumica e reshjeve priten të nisin pasditen e ditës së dielë, më 7 shkurt.

Bëjmë me dije se në Bashkinë e Shkodrës, e cila është edhe më e prekura nga situata e përmbytjeve e ditëve të mëparshme, janë nën ujë 3 mijë  e 600 sipërfaqje tokë. Rruga e Obotit është e pakalueshme me mjete të larta. Niveli i ujit mbi rrugë arrin rreth 130 centimetra. Ujësjellësi “Oblika 1”, si pasojë e përmbytjeve është jashtë funksionit.

Bashkia e Shkodrës në kushtet e ndodhura, në referencë të ligjit “Për Mbrojtjen Civile ”, ka kërkuar shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, për Njësinë Administrative Ana e Malit dhe Dajç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore