Shqipëria

I përpiu uji panelet diellore në Banjë?


Pamje nga platforma e paneleve diellore në liqenin e Banjës, të instaluar nga Statkraft dhe Ocean Sun

Më 5 maj 2021, kompania diellore lundruese, Ocean Sun, përfundoi së bashku me kompaninë Stakraft, fazën e parë të implementimit të një platforme lundruese mbi liqenin e Banjës, për prodhimin e energjisë diellore,.

Më 3 qershor ndërkaq, platforma filloi zyrtarisht operimin tregtar. Në një fazë të dytë, pas testeve fillestare, pritej të vendoseshin edhe tre platforma të tjera të tilla.

Por,, tani, në lundrim mbi ujërat e liqenit të Banjës, nuk ka asgjë!

Disa raportime nga website-i i njohur i energjisë së rinovueshme, Offshore Energy, tregojnë për një dëmtim madhor të strukturës, duke e lënë atë gjysmë të zhytur në ujë.

Albanian Post provoi të kontaktonte me dy kompanitë, por asnjëra prej tyre nuk është përgjigjur mbi çështjen.

Nga banorë të zonës ndërkohë, pohohet se struktura prej disa javësh, është zhytur tërësisht nën ujë. Sipas tyre, ajo ndodhet aktualisht brenda liqenit të Banjës.

Në pamjet filmike të marra nga Albanian Post, vihet re se në sipërfaqen e liqenit nuk ka asnjë strukturë të tillë.

Gjithashtu, në konfidencialitet, nga persona të zonës është pohuar për AP-në se nuk ka pasur asnjë aksion për nxjerrjen e platformës me panele.

Por, për Offshore Energy, kompania Ocean Sun, ka pohuar se “po kryhet punë për rikuperimin e strukturës”.

Albanian Post ka kontaktuar edhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë mbi problemin. Nga kjo ministri, është dhënë përgjigja se “kjo çështje i takon tërësisht kompanive private dhe nuk është kompetencë e tyre”.

Shkaqet e incidentit nuk janë bërë me dije as për Offshore Energy nga ana e kompanisë. E vetmja që ata thonë, është se “teknologjia e tyre është sprovuar e suksesshme dhe kompania do të vazhdojë me përkushtim misionin dhe punën e tyre”.

Plani i dytë i zhvillimit të projektit duket i largët tashmë pas incidentit. Por, zhvilluesi, nuk ka dhenë detaje mbi vazhdimësinë.

Si u zhvillua faza e parë?

Kompania diellore lundruese Ocean Sun ka përfunduar së bashku me partnerin e tij të projektit Statkraft fazën e parë të skemës diellore lundruese 2MWp në rezervuarin e Banjës në Shqipëri.

Faza e parë përfshinte ndërtimin e një notuesi me diametër 68.8m dhe një prodhim energjie prej 0.5MWp.

Instalimi përfaqëson së pari Ocean Sun, duke përdorur modelin e tij të ri. Ai përbëhet nga një sistem i vetëm tubash dhe është pothuajse dy herë më i madh se çdo instalim i mëparshëm, sipas kompanisë.

Përafërsisht 1 mijë e 600 panele u vendosën gjatë dy ditëve efektive të instalimit, informoi Ocean Sun.

“Instalimi i suksesshëm është një demonstrues i rëndësishëm i dizajnit dhe përparësive konkurruese të Ocean Sun. Kjo, si për komunitetin e hidrocentraleve, ashtu edhe për instaluesit e tjerë të mundshëm të diellit lundrues”.

Faza dy e projektit përfshin instalimin e tre lundruesve shtesë me madhësi të barabartë.

Sipas Ocean Sun, ai synon të ankorojë të katër unazat e shtrënguara së bashku. Kështu, duke formuar një tufë në formë diamanti.

Paraqitja e tillë e ankorimit, mundëson shfrytëzim të mirë të zonës dhe dendësi të lartë të energjisë. Ndërsa, notuesit individualë mund të ndajnë ankorimin, duke siguruar përfitime të mëtejshme të kostos, pretendon Ocean Sun.

Në dhjetor 2018, Statkraft Albania mori një autorizim paraprak nga qeveria e Shqipërisë për zbatimin e një impianti diellor lundrues në Banja me një tarifë ushqyese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore