Sport

I nevojshëm për ku ishim, pengesë për ku po shkojmë – Challandes në Kosovë


Bernard Challandes është shkarkuar nga Kosova tre vite pas emërimit si trajner në stolin e Dardanëve.

Rezultatet e dobëta dhe paraqitjet jo të mira në fushë, kanë bërë që Bernard Challandes të mos jetë më pjesë e Kosovës.

Por, kush është Bernard Challandes dhe çfarë arriti ai me Kosovën?

Në fakt, fillimi i jashtëzakonshëm që ai pati në stolin e Kosovës, bëri që aventura në Kosovë, zviceranit t’i mbyllet me rekord pozitiv.

Në 37 ndeshje, Dardanët nën drejtimin e tij arritën 16 barazime, barazuan tetë herë dhe humbën 13 herë.

Challandes jetën e tij në Kosovë e nisi me tre miqësore.

Fillimisht përballë Madagaskarit, me fitore 1-0, pastaj 0-2 përballë Burkina Fasos dhe përfundimisht 0-3 në vëllzaroren me Shqipërinë.

Eskperienca e parë në ndeshje zyrtare, për Kosovën nën drejtimin e Challandes do të ishte liga e sapo inauguruar, Nations League.

Për shkak të renditjes së dobët në ranglistën e përgjithshme, Kosova ishte pjesë e grupit D, pra gupit më të ‘dobët’ në kompeticion.

Në grup, Dardanët e kishin Azerbaixhanin, Maltën dhe Ishujtë Faroe.

Në Baku, rrugëtimi nisi me një barazim 0-0 përballë azerëve, me Kosovën që dominoi ndeshjen por pa fat, nuk arriti fitoren.

Pastaj, në “Fadil Vokrri” për herë të parë, Kosova arriti fitoren 2-0 përballë Ishujve Faroe, në një ndeshje të dominuar nga minuta e parë deri të e fundit.

Së kush janë, Kosova treguan në ndeshjet tjera të grupit.

Në total, gjashtë ndeshje, katër fitore, dy barazime, 15 gola të shënuar dhe vetëm dy të pësuar.

Kosova shkruajti historinë, duke arritur fazën play-off në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020, në pjesëmarrjen e tyre të parë.

Pastaj, për Kosovën filloi edhe një rrugëtim tjetër, kualifikueset e para për një Evropian, duke provuar rrugën e dytë të kualifikimit, përveç asaj të Nations League.

Në një grup me kombëtare si Anglia dhe Çekia, Kosova mbajti gjallë shpresën e kualifikimit deri në fund.

Kjo arritje më vete do duartrokitje, por, që nga ajo humbje në Pragë që shuajti shpresat për eliminim direkt nga kualifikueset, Kosova ka qenë në ‘rënie të lirë’.

Pas 15 ndeshjeve me radhë pa humbje, Kosova do të bëhej aleat me këtë të fundit.

Që nga humbja me Çekinë, Kosova ka zhvilluar 20 ndeshje, nga të cilat ka humbur 12, ka barazuar tre dhe ka vetëm pesë fitore.

Përfshirë këtu, edhe humbjen e hidhur në Shkup përballë Maqedonisë, që rrëzoi posht mundësinë e artë për kualifikimin në EURO 2020.

Nga pesë fitoret, katër kanë ardhur në ndeshje miqësore, dhe vetëm një në ndeshje zyrtare.

Kjo, shtyu edhe deri te shkarkimi i Challandes.

Challandes ishte i mirë për skuadrat më të dobëta, jo ato të nivelit më të lartë.

Kosova tregoi se është më e fortë se liga D, por nuk dinte si të sillej në nivele më të larta.

Në një skuadër që përveç menaxhimit të ndeshjeve duhet edhe menaxhimi i personaliteteve, ky shkarkim duket si hapi i duhur.

Si trajner i Kosovës, Challandes ka arritur majat, por edhe ka prekur pikën më të ulët.

Një përiudhë tre-vjeçare që përkundër të gjithave, na mësoi shumë se çfarë duhet të presim dhe cili është realiteti.

“Nuk ka rëndësi e ardhmja ime, por e Kosovës”, tha Challandes para ndeshjes me Gjeorgjinë.

Dhe, të paktën për momentin, e ardhmja e Kosovës shihet më e mirë pa zviceranin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore