Lajme

I dyshuari për sulmin ndaj Salman Rushdie ka lexuar “vetëm dy faqe” të librit


I akuzuari për goditjen me thikë të Salman Rushdie thuhet se ka lexuar vetëm dy faqe të romanit të diskutueshëm të autorit, Vargjet Satanike.

24-vjeçari Hadi Matar është deklaruar i pafajshëm për akuzat që rrjedhin nga sulmi në një ngjarje në New York javën e kaluar.

Matar ka thënë se Salman ishte “dikush që sulmoi Islamin”.

Por ai nuk konfirmoi se veprimet e tij të supozuara ishin nxitur nga një fetva e lëshuar nga Irani në vitet 1980.

Aktualisht Matar po mbahet në burgun e qarkut Chautauqua, në shtetin e New York-ut.

Salman e botoi romanin e tij të famshëm dhe të diskutueshëm “The Satanic Verses” në vitin 1988, duke shkaktuar zemërim në mesin e disa myslimanëve.

Këta të fundit e kanë konsideruar përmbajtjen e tij si blasfemi.

Publikimi i librit nxiti liderin iranian Ayatollah Ruhollah Khomeini të lëshonte një fetva ose dekret, duke bërë thirrje për vdekjen e shkrimtarit në vitin 1989.

Matar ka treguar se kishte lexuar vetëm disa faqe të librit dhe nuk ka thënë nëse fetvaja e kishte frymëzuar atë.

Po ashtu ka treguar se ishte “i befasuar” kur dëgjoi se Salman i kishte mbijetuar sulmit.

“Nuk më pëlqen ky person. Nuk mendoj se ai është një person shumë i mirë. Nuk më pëlqen shumë. Ai është dikush që sulmoi Islamin, ai sulmoi sistemet e besimit”, ka thënë ai.

Salman pësoi një dëmtim të mëlçisë, si dhe dëmtime të nervave në krah dhe sy në sulm, por shpëtoi.

Pavarësisht dëmtimeve, autori ka ruajtur “ndjenjën e tij të zakonshme të guximshme dhe sfiduese të humorit”, sipas familjarëve të tij.

Një sërë figurash letrare pritet të lexojnë fragmente nga veprat e tij në shkallët e bibliotekës publike të New York-ut për t’u solidarizuar me romancierin.

Tina Brown, Paul Auster, Kiran Desai, Andrea Elliott, Hari Kunzru dhe Gay Talese do të jenë ndër ata që do të marrin pjesë në “Stand With Salman: Defend the Freedom to Write”.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore