Lajme

I akuzuari në rastin “Syri i Popullit”, mohon tentim-vrasjen ndaj Azem Vllasit


Në rigjykimin e rastit të njohur si “Syri i Popullit”, ku Avni Llumnica po akuzohet për ndihmë në tentim vrasjen e Azem Vllasit, në seancën e së hënës, ai ka deklaruar se ky rast do të zbardhet në tërësi.

“Azem Vllasi, ky rast do të zbardhet prej A deri në Zh, të gjithë keni qenë fajtorë përveç Avni Llumnicës. Unë po të betohem që kam dashtë me ndjek krimin, kurrë në jetën time skam qenë kundër shqiptarëve. Të kam mbrojt edhe në kohë të shkaut, e po të vras këtu”, është shprehur Llumnica në seancë.

Sipas aktakuzës së re, i akuzuar është edhe Sadri Ramabaja ku Llumnica akuzohet për tentim vrasje të Azem Vllasit në bashkëkryerje me të ndjerin Murat Jashari. Ndërsa, Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar të akuzuarit në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë.

Në këtë seancë gjyqësore të pranishëm si dëshmitarë kanë qenë edhe Hekuran Mavriqi dhe Berat Rustolli.

Ky i fundit kishte deklaruar se më 13 mars të vitit 2017 ishte takuar me të akuzuarin, Llumnicën por ka mohuar se ishte në dijeni për ngjarjet që do të ndodhnin.

“Po jemi takuar disa herë gjatë muajit mars dhe po ashtu edhe atë ditë kur ka ndodhur rasti jemi taku diku rreth orës 11 paradite. Me Avniun nuk kemi pasur asnjëherë biseda se çka do të ndodh atyre ditëve”, është shprehur Rustolli, raporton Betimi për Drejtësi.

Ndërsa dëshmitari Mavriqi, ka theksuar se më 11 mars të vitit 2017, babai i tij pati pranuar një telefonatë nga një numër i panjohur, i cili i kishte kërkuar numrin e Azem Vllasit.

“Kemi qenë në veturë bashkë me prindin, i ka pas dy telefona. Në numrin e dytë, të cilin e ka përdor veç për internet dhe thirrje familjare, thërret një person i panjohur, i cili prezantohet si njëri nga Matiqani, i thotë po më duhet numri i Azem Vllasit, po më duhet për një tokë”, ka thënë dëshmitari Mavriqi.

Kurse në fund të seancës, Llumnica ka deklaruar se ishte i gatshëm të qëndronte edhe katër vite të tjera në burg, me kusht që të dëgjohen të gjithë dëshmitarët e propozuar.

“Jam i gatshëm të qëndroj edhe katër vite në burg, që dëshmitarët me qenë të gjithë këtu, përveç atij që ka ndërruar jetë, ngase ka shumë pasaktësi, do të vije koha që do të zbulohet teatër dhe lojnat e tyre”, ka thënë i akuzuari Llumnica.

Ndryshe ky rast është i njohur me emrin “Syri i Popullit” kishte filluar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore