Sport

Hysaj nuk pritet mirë nga tifozët e Lazio-s


Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Elseid Hysaj, është futbollisti më i ri i skuadrës së Lazio-s.

Ai u transferua në Lazio me parametra zero, pasi që nuk vazhdoi kontratën me ish-klubin e tij, Napoli.

Mirëpo, prezantimi te shokët e tij të skuadrës, nuk i shkoi eshë aq mirë mbrojtësit shqiptar.

Bëhet fjalë, për një ritual festiv, ku çdo futbollist këndon para shokëve të rinj të ekipit dhe në këtë rast Hysaj zgjodhi himnin e njohur partizan “Bella Ciao”, por pikërisht kjo gjë i kushtoi shtrenjtë mbrojtësit shqiptar.

Lidhur me këtë gjë, reaguan menjëherë tifozët e Lazios, të cilët njihen për prirjet e tyre fashiste apo ekstreme të djathta.

Pas kësaj ngjarjeje lacianët postuan komente fyese për Hysajn në rrjetet sociale, teksa pas negociatave mes drejtuesve të klubit, kënga u fshi nga rrjetet sociale dhe u duk sikur u arrit një paqe.

Por, nuk doli ashtu, pasi tifozët nuk ngurruan të shprehin acarimin e tyre as në rrugët e Romës, ku shpalosën një pankartë në një urë të kryeqytetit italian, ku shkruhej “Hysaj Krimb, Lazio është fashiste”.

Gjithashtu një nga udhëheqësit ultras të Lazios, shkroi në rrjetet sociale “Është çmenduri që dikush me fanellë të Lazios të këndojë ‘Bella Ciao’”.

Për këtë gjë, klubi i Lazios, doli me një komunikatë për media, duke mbrojtur Hysajn dhe duke kërkuar që të mos prishet qetësia në kampin stërvitor të klubit.

“Detyra jonë është që të mbrojmë çdo anëtar të klubit dhe ta lirojmë nga përdorimi personal e politik, që në këtë rast nuk ka asnjë lidhje politike me atë episod qe ndodhi”.

“Grumbullimi i skuadrës duhet të vazhdojë me angazhimin maksimal sportiv dhe në ambient qetësie që ka mbizotëruar deri para këtij momenti”, thuhej në komunikatën për media të klubit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore