Sport

Hysaj arrin marrëveshje me Lazio-n


Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Elseid Hysaj, ka arritur marrëveshje për t’u transferuar te skuadra italiane, Lazio.

Sipas mediave italiane, Hysaj do të jetë dhurata e parë e trajnerit Maurizio Sarri-t, i cili para disa ditësh, është emëruar trajner i ri i Lazio-s.

Mbrojtësi shqiptar do të transferohet me parametra zero, pasi kontrata e tij me Napolin i skadon më 30 qershor.

Gjithnjë sipas mediave italiane, Hysaj do të përfitojë te skuadra e Lazios një pagë vjetore prej 1.7 milionë euro në sezon.

Hysaj dhe trajneri Sarri kanë një marrëdhënie shumë të mirë mes tyre.

Sarri e ka pasur nën urdhrat e tij 27-vjeçarin që në kohët kur të dy ishin pjesë e Empoli-t e më pas te Napoli.

Me Sarrin trajner, Hysaj ka zhvilluar plot 223 ndeshje, duke qenë titullar i padiskutueshëm.

Ndërsa kujtojmë që shkodrani ishte dëshira kryesore e trajnerit Sarri, që kur mori drejtimin e Napolit.

Hysaj u transferua  nga Empoli në Napoli, në verën e vitit 2015, për shumën e 5 milionë eurove.

Derisa, gjatë kësaj kohe te Napoli, Hysaj luajti për 225 ndeshje në të gjitha garat, ku suksesi më i madh i tij, ishte triumfi në Kupën e Italisë, në sezonin 2019/20.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore