Euro 2020

Hungari vs. Portugali – Fakte interesante


Portugalia do të zbresë në fushë këtë të martë me fillim nga ora 18:00, për të zhvilluar ndeshjen e parë të Kampionatit Evropian, kundër Hungarisë.

Kjo ndeshje e grupit F, do të zhvillohet në stadiumin “Puskás Aréna” të Budapestit, ku do të jenë të pranishëm rreth 61 mijë spektatorë.

Në fakt, ky do të jetë stadiumi i vetëm i “Euro 2020” që do të shfrytëzohet gati 100 për qind nga tifozët në tribuna.

Këto dy kombëtare, janë përballur tetë herë ndërmjet tyre në ndeshjet garuese, ku Portugalia ka një bilanc fantastik me tetë fitore, kundrejt vetëm një barazimi.

Barazimi 3:3, kishte ndodhur në Kampionatin Evropian të vitit 2016, ku skuadra e Portugalisë arriti të shpallej kampion i Evropës.

Sa i përket pjesëmarrjes në Kampionat Evropian, portugezët kanë marrë pjesë shtatë herë më parë, ndërsa hungarezët ishin pjesëmarrës tre herë më parë.

Portugalia ka në përbërje një nga skuadrat më të shtrenjta në këtë Kampionat Evropian, ku sipas “transfermarkt”, vlera e futbollistëve portugezë shkon në 882 milionë euro.

Kësaj liste i prinë futbollisti i Manchester United, Bruno Fernandes, vlera e të cilit është 90 milionë euro.

Pas tij vijnë Joao Felix me 80 milionë, pastaj Ruben Diaz e Bernardo Silva me 75 respektivisht 70 milionë euro.

Ndëra ylli Portugalisë, Cristiano Roanldo, sipas “transfermarkt”, kushton 45 milionë euro.

Cristiano Ronaldo do të marrë pjesë për herë të pestë në një Kampionat Evropian, në karrierën e tij të suksesshme, diçka vërtetë e veçantë.

Në konferencën për media para ndeshjes, ai pranon se ëndrra e tij është që Portugalia të mbrojë trofeun, pasi është kampionia në fuqi e këtij kompeticioni.

“Luaj Evropianin e pestë dhe është një rekord shumë i bukur, por do të ishte edhe më special nëse arrijmë të mbrojmë titullin kampion të fituar në Euro 2016-ën”, ishin fjalët e Cristiano Ronaldo-s.

Ndërkohë trajneri i Hungarisë, italiani Marco Rossi, ka në përbërje një skuadër, që vlera e tyre shkon në 75 milionë euro, apo thënë ndryshe 11 herë më pak se kundërshtari i frikshëm që do ta ketë sot.

Futbollistët më të shtrenjtë te Hungaria, sipas “transfermarkt” janë dyshja e skuadrës së Leipzig, Willi Orban dhe Peter Gulacsi, të cilët vlejnë 16 respektivisht 13 milionë euro.

Kujtojmë që në grupin F, përveç tyre, bëjnë pjesë edhe dy gjigantët evropianë, Franca dhe Gjermania.

Trajneri i Portugalisë Fernando Santos, do të duhej patjetër të mposhtë Hungarinë në këtë ndeshje, në mënyrë që të mendojë për të kaluar grupin, pasi që kjo konsiderohet përballja më e lehtë në letër.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore