Pajisje

Huawei/ Dy anëtarë të bordit japin dorëheqjen për heshtjen ndaj Ukrainës


Në Mbretërinë e Bashkuar, dy drejtues jo-ekzekutivë të kompanisë Huawei kanë dhënë dorëheqjen për qëndrimin e kompanisë ndaj konfliktit në Ukrainë.

Andrew Cahn dhe Ken Olisa janë dy anëtarët e larguar të bordit, të cilët e kanë ndërmarrë këtë hap pas dështimit të firmës për të dënuar pushtimin rus.

Sakaq, e pyetur nëse do të vazhdonte biznesin në Rusi, kompania ka thënë se nuk dëshiron të komentojë më tej.

Mbështetje e fortë

Besohet se dy të larguarit mendonin se, megjithëse kjo ishte një situatë komplekse për kompaninë, qëndrimi i firmës ishte në kundërshtim me pritshmëritë e tyre.

“Andrew Cahn dhe Ken Olisa sollën përvojë të konsiderueshme nga bota e biznesit dhe teknologjisë në bordin e drejtorëve të Huawei UK kur u emëruan, respektivisht në vitin 2015 dhe 2018”, ka thënë një zyrtar i Huawei-t.

“Të dy kanë treguar mbështetje të fortë për angazhimin e Huawei-i ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe kanë ndihmuar në ruajtjen e standardeve më të larta të qeverisjes së korporatës”, ka shtuar ai.

Veprim ‘shkatërrues’

Lajmi vjen pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës paralajmëruan kompanitë kineze që të mos shkelin kufizimet në eksportet e teknologjisë në Rusi.

Kina abstenoi në një rezolutë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që dënon pushtimin e Rusisë, por qeveria gjithashtu ka shprehur së fundmi “keqardhje” për veprimin ushtarak, duke thënë se ishte jashtëzakonisht e shqetësuar për dëmin ndaj civilëve.

Sekretarja e Tregtisë Gina Raimondo ka thënë se mund të ndërmarrë veprime “shkatërruese” kundër kompanive kineze që sfiduan sanksionet ruse.

Këtë duke ndaluar përdorimin e pajisjeve dhe software-ve amerikanë të nevojshëm për prodhimin e produkteve të tyre.

Sipas Raimondo, Rusia “me siguri do t’i bëjë ballë vendeve të tjera për t’i dhënë fund sanksioneve dhe kontrolleve të eksportit”.

 

Marrë nga “BBC”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore