Lajme

Peticioni për lirimin e vrasësit të Gjingjiqit – “Vuçiçi akuzohet se qëndron mbrapa”


Ish-kryeministri i Serbisë Zoran Gjingjiq

I dënuari për krime lufte, Dragan Vasilkoviç, i njohur si Kapiteni Dragan, së fundi ka nisur një peticion në Serbi për lirimin e vrasësit të ish-kryeministrit Zoran Gjingjiq, Zvezdan Jovanoviç.

Gazeta e pavarur serbe “Danas”, bazuar në bashkëbisedime me njohës të fushës, ka shkruar se pas këtij peticioni qëndron pushteti në krye me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.

Kapiteni Dragan, udhëheqës ushtarak i serbëve gjatë luftës në Kroaci, është liruar nga burgu vitin e shkuar.

Tash ka marrë iniciativë për lirimin e një vrasësi, por sipas shumëkujt në Serbi, kjo nuk është ide e tij.

Zharko Koraq, zv\kryeministër në kabinetin që udhëhiqej nga Gjingjiqi, thotë se pas kësaj qëndron e gjithë skena, siç ka thënë ai, profashiste në Serbi e cila dëshiron konflikte të reja.

“I ashtuquajturi Kapiteni Dragan është një kriminel lufte i dënuar dhe nuk çudit aksioni i tij për mbledhjen e nënshkrimeve për lirimin e vrasësit të Zoran Gjingjiqit”, ka thënë Koraq.

Ndërkaq, Vesna Peshiq, sociologe dhe bashkëpunëtorë e Gjingjiqit në parti, pyet se me çfarë baze Kapiteni Dragan ka marrë iniciativë të tillë.

“Ai nuk është kurrfarë figure, pos një person i liruar nga burgu ku qëndroi për krime lufte. Mbishkrimi në atë tendë është se Jovanoviç është hero i luftës në Kroaci e Bosnjë. Sipas cilës arsye ai është hero? Por kemi parë edhe me rastin e Ratko Mladiqit e të tjerëve të dënuar për krime lufte, se pushteti i Vuçiçit u jep mirënjohje dhe i quan heronj”, potencoi Peshiq.

“Këtë iniciativë për lirimin e vrasësit të Gjingjiqit nuk e ka menduar Kapiteni Dragan, por kreu shtetëror. Dhe meqë Vuçiçi është kundër një Serbie çfarë e ka menduar Gjingjiqi dhe urryes i madh i tij, tani dëshiron t’i rehabilitojë vrasësit. Me këtë dëshiron të eliminojë çdo gjurmë të 5 tetorit, kur radikalët dhe socialistët ranë nga pushteti dhe kur Gjingjiqi krijoi një vizion të ri për Serbinë”.

Gjingjiq ishte vrarë më 12 mars 2003 në moshën 50-vjeçare, e vrasësi i tij, Jovanoviç është dënuar me 40 vjet burgim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore