Lajme

Ministrja e Jashtme e Suedisë më 7 dhe 8 korrik qëndron në Kosovë


Ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë, Ann Linde

Ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë, njëkohësisht kryesuesja e radhës e OSBE-së, Ann Linde, do të vizitojë Kosovën me 7 dhe 8 korrik.

Linde, pritet që gjatë takimeve të planifikuara të diskutojë çështje që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Përmes një komunikate për media të OSBE-së, bëhet e ditur se ministrja Linde do të takohet me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Zëvendëskryeministrin, Ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz dhe ministrin për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiç.

Temat e tjera të vizitës janë zbatimi i reformave strategjike të Kosovës, përpjekjet anti-korrupsion, zgjedhjet lokale, integrimi gjyqësor, promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të personave që i përkasin komuniteteve si dhe tejkalimi i pandemisë.

Ajo gjithashtu do të diskutojë çështje që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, rëndësinë e stabilitetit rajonal dhe rolin e OSBE-së në të.

Diplomatja suedeze vjen në Kosovë së bashku me Ndihmës sekretaren e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe Zëvendësdrejtoren ekzekutive të UN Women, Asa Regner, ndërsa fokusi kryesor i kryesueses së OSBE-së do të jetë agjenda “Gratë, Paqja dhe Siguria.”

Linde dhe Regner do ta takohen edhe me stafin e Misionit të OSBE-së në Kosovë si dhe do të vizitojnë projektet në terren.

Një takim i nivelit të lartë do të organizohet me organizatat që mbështesin të drejtat e grave dhe organizatat e shoqërisë civile për të diskutuar dhe shkëmbyer qasjet për avancimin e agjendës së grave, paqes dhe sigurisë në Kosovë.

Barazia gjinore dhe pjesëmarrja e grave në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes gjatë viteve të fundit do të jenë gjithashtu në rend të ditës, duke reflektuar mbi strategjitë e suksesshme për përfshirjen dhe fuqizimin e grave, si dhe mbështetjen e grave të reja në punën për ndërtimin e paqes dhe parandalimin e konflikteve, drejtësinë tranzicionale si dhe arritjen e potencialit të grave në ndërtim të mirëbesimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore