Lajme

Kurti për sulmet ndaj policëve: Do të kemi zero tolerancë ndaj strukturave ilegale të Serbisë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Velani dhe tek sheshi “Zahir Pajaziti”, ai i pyetur nga gazetarët për sulmet ndaj pjesëtareve të Policisë së Kosovës në veri të vendit ka thënë se këto sulme kishin për qëllim vrasje.

“Ne e kemi dënuar ashpër këtë sulm, i cili ishte sulm terrorist meqenëse me plumba me granata u gjuajtën pjesëtarët e policisë të cilët patën fat që në veturat e tyre pësuan vetëm dëme materiale”.

Ndër të tjera, ka thënë me këtë rast do të merren organet e rendit.

“U takon organeve të rendit edhe për të bërë hetime mbi ata që sulmuan për të zbardhur rastin, por edhe për të vlerësuar situatën e sigurisë se çfarë duhet të ndërmarrim në vijim që të pamundësojmë sulme të këtilla. Nuk janë sulme mbi të mirat materiale, as mbi qytetarët, por janë sulme mbi policët që kanë pasur për qëllim të vrasin”.

“Me strukturat ilegale të Serbisë, me krimin e organizuar kurrë nuk do të ketë asnjë gram tolerancë nga Qeveria e Kosovës, shteti i Kosovës nga MPB dhe Policia e Kosovës”, tha Kurti.

Kurti tutje u pyet edhe për deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiç lidhur me ardhjen e një aeroplani i Forcave Ajrore të Britanisë së Madhe në Prishtinë.

“Deklaratat që vijnë nga Beogradi nuk bënë ti merrni si fakte. E kemi shtuar buxhetin për mbrojtjen e Kosovës, por për të gjitha hapat e mëtutjeshme që ne ndërmarrim informacionet duhet ti merrni nga Ministria e Mbrojtjes, kurrsesi nga Beogradi”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ndër të tjera, Kurti sqaroi se për targat do të vazhdoj parimi i reciprocitetit.

“Më datë 21 prill përfundon afati i fundit ku do të duhej të merreshim vesh për targa. Unë e di që parimi i reciprocitetit do të jetë aty ndërkaq për aspekte teknike e kemi grupin teknik që merr pjesë atje për të gjetur zgjidhje. E padiskutueshme është parimi i reciprocitetit”.

Ndërsa, përveç temave për të cilat u pyet nga gazetarët ai u shpreh se nuk do të harrojnë as të kaluarën për asnjë moment.

“E kaluara e lavdishme është vendimtare për drejtimin dhe shpejtësinë në ecjes përpara të Kosovës si shtet dhe të shqiptarëve si komb. Si qeveri e republikës së Kosovës asnjëherë  nuk do ta harrojmë se nga vijmë dhe ku duhet të shkojmë pikërisht duke ju falënderuar gjakut të derdhur për liri i cili nuk shlyhet kurrë”.

Ai gjithashtu kujtoi me këtë rast Zahir Pajazitin.

“Prishtina si kryeqytet gjatë luftës Çlirimtare të Kosovës vendi, kishim për komandant Zahir Pajziti i cili me aksionet e tij çlirimtare e dha kushtrimin e lirisë shumë herët para se të fillonte lufta çlirimtare dhe më këtë mënyrë e mobilizoi gjithë popullin”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke bërë homazhe tek sheshi “Zahir Pajaziti”.

Ai tutje ka bërë të thirrje tek populli që edhe ata të punojnë për një të ardhme më të mirë.

“Ne që e mbajmë mend dhe e kemi jetuar atë kohë por edhe ata të cilët rriten sot që të gjithë duhet ta dinë mirë prej nga vinë në mënyrë që të jemi të sigurt për rrugën përpara. Këtyre që kontribuuan e sakrifikuan ju kemi borxhe që të ardhmen ta e bëjmë shumë më të ndritshme”.

Ndryshe edhe shoqata e dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, organizojnë “Ditët e Krenarisë” në shenjë nderimi për dëshmorët e Komunës së Prishtinës.

Në këtë ditë, ata do të bëjnë homazhe në varrezat e Dëshmorëve në lagjen Velania, nderim te shtatorja e dëshmorit “Zahir Pajaziti”, po ashtu dhurim i gjakut tek sheshi “Zahiri Pajaziti si dhe do të marrin pjesë në akademinë përkujtimore për dëshmorët në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore