Lajme

Alban Hyseni për Albanian Post: Lutfi Haziri më la shumë borxhe në Komunë


Ndonëse i ka kaluar më shumë se dy vite i ulur në karrigen e kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni, vazhdon të ankohet se komunën që e drejton e gjeti në borxhe të mëdha.

Hyseni, si njëri nga kryetarët më të ri në moshë në Kosovë, në një prononcim për Albanian Post, thotë se paraardhësi i tij, Lutfi Haziri i la detyrime të mëdha, çka ia pamundësoi të qeverisë siç e kishte planifikuar.

“Komunën e gjetëm me borxhe të mëdha, rreth 26 milionë euro”, theksoi Hyseni.

Shumë nga to sipas tij, ishin borxhe të trashëguara përmbarimore.

“Në vlerë mbi 7.1 milionë euro, kemi paguar borxhe të trashëguara përmbarimore, kryesisht shpronësime, vetëm gjatë periudhës 1 vjeçare të qeverisjes”, tregon Hyseni.

Por, pavërsisht kësaj, tash Hyseni shprehet i kënaqur me mbështetjen financiare që po e merr nga Qeveria e Kosovës, pasi sipas tij, qeveritë e kaluara kishin bërë fare pak për kryeqendrën e Anamoravës.

Tash, Hyseni thotë se shumë projekte të dobishme do realizohen për qytetarët.

“Mbështetja nga niveli qendror ka qenë nevojë e kamotshme për komunën e Gjilanit. Gjilani këtë vit ka gjetur përkrahjen e nevojshme dhe të vazhdueshme nga niveli qendror, si nga Kryeministri Kurti, ashtu edhe Ministrat e dikastereve të ndryshme, e cila po na sjellë shumë projekte të reja dhe të dobishme për bashkëqytetarët”.

Ndërkaq ndër premtimet kryesore të Hysenit gjatë fushatës parazgjedhore ishin renovimi i stadiumit të qytetit dhe përfundimi i autostradës Gjilan-Prishtinë.

Realizimi i këtyre dy projekteve, Hyseni shpreson që të përfundohen brenda këtij viti, meqë thekson se edhe mjetet nga Qeveria janë ndarë.

“Pas përfundimit të shtresës finale të Autostradës Gjilan-Prishtinë, kemi marrë zotim se ky projekt do të përfundojë brenda vitit 2023. Për vitin 2023, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka ndarë 27 milionë euro për vazhdimin e punimeve në këtë projekt”, shton ai.

Ai ka folur për AP edhe për planet dhe synimet për vitin që sapo kemi hyrë.

“Infrastrukturë më të mirë në çdo lokalitet, lagje e fshat të komunës. Kushte më të mira për arsim më cilësor dhe transparencë në procese të rekrutimit. Objekte të reja, restaurim të atyre ekzistuese dhe riorganizim e shërbime cilësore në shëndetësi”.

Në zgjidhjet lokale të vitit 2021, Alban Hyseni kishte marrë besimin e 21 mijë e 374 gjilanasve, duke e lënë pas kundër kandidatin e tij nga LDK, Lutfi Hazirin, për 859 vota më shumë.

Ky i fundit pas tetë vjetësh qeverisje në Gjilan u mposht nga Alban Hyseni.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore