Lajme

Hoxhaj: Përvjetori i 13-të i GjND-së na gjen me politikë të jashtme të zhbërë


Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se në përvjetorin e 13-të të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, politika e jashtme është zhbërë, si dhe partneriteti me vendet aleate është “çmontuar”.

“Në përvjetorin e fitores sonë në GJND, që konfirmoi fuqishëm legalitetin dhe legjitimitetin e pavarësisë sonë, sot politika e jashtme është zhbërë, partneriteti strategjik me SHBA-në dhe BE-në është çmontuar dhe normalizimi ndërshtetëror me Serbinë është zëvendësuar me menaxhim të krizës në veri të vendit, duke treguar para botës që Kosova nuk mund të qeverisë atë pjesë të territorit të saj!”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Kjo ndodhë, sipas tij, kur politika e jashtme nuk bazohet në vlerësimin real të situatës dhe nuk ndjekë interesin shtetëror të Kosovës, “por udhëhiqet nga marrëzi ideologjike dhe nga frustrimi personal i një politike qorre”.

“Një përvjetor si ky mund të shërbejë për t’i treguar botës se Serbia ende funksionion si armike e Kosovës dhe kundërshtare e Perëndimit dhe që njohja universale, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare dhe thellimi i partneritetit me SHBA-në dhe BE-në është sa në interes të Kosovës dhe paqes liberale në Evropë”.

Ish-kryediplomati kosovar thekson se sot vendimi i GjND-së kujtohet si një datë historike “dhe jo platformë politike në përmbylljen e shtetësisë së Kosovës, meqë ata që udhëheqin as nuk kanë dije, vullnet dhe as guxim për të përmbushur interesin shtetëror të Kosovës!”.

Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në rrjetin e saj social në Twitter, ka kujtuar përvjetorin e 13-të të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Sipas saj 13 vjet më parë GJND-ja konfirmoi se Kosova nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtarë kur e ka shpallur pavarësinë e saj.

Prandaj mbi këtë premisë ajo ka kërkuar që të gjitha shtetet mos-njohëse ta marrin për bazë këtë dhe të ndryshojnë qëndrim në raport me shtetësinë e Kosovës.

“13 vjet më vonë, kjo pikëreferimi mbetet një thirrje për vendet që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë, të bashkohen me demokracitë në mbarë botën dhe të njohin realitetin e pakthyeshëm të Republikës sonë sovrane”, ka shkruar ajo në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore