Shqipëria

Hoxha përgëzon kreun e OSBE-së për punën e bërë, Osmani zbulon sfidat e organizatës


Reflektimi i bashkëpunimit mes Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe OSBE-së në 30 vitet e fundit u kurorëzua me një ballafaqim të diplomacisë shqiptare.

Ambasadori i përhershëm shqiptar në Kombet e Bashkuara, Ferit Hoxha përgëzoi përpjekjet dhe punën e bërë nga kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani në kryesimin e OSBE-së.

“Kemi kënaqësinë të mirëpresim Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së dhe e falënderojmë për vërejtjet e rëndësishme. Dëshiroj ta përgëzoj për përpjekjet dhe punën e bërë që kur ka marrë këtë përgjegjësi të rëndësishme, pavarësisht rrethanave shumë sfiduese”, u shpreh fillimisht diplomati shqiptar.

Sipas tij, nuk ka asnjë rast më kuptimplotë dhe më të suksesshëm për të kujtuar se Maqedonia e Veriut, e cila është transformuar pikërisht duke investuar në besim dhe bashkëpunim me një ndikim të pashembullt pozitiv në stabilitetin, zhvillimin dhe prosperitetin e qarkut.

“Ne e dëgjuam me vëmendje prezantimin dhe do të dëshironim të shënonim mbështetjen tonë të plotë për prioritetet e Kryesisë: një OSBE funksionale dhe fleksibël, promovimi i sigurisë njerëzore, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe promovimi i tolerancës dhe mosdiskriminimit si parakushte për sigurinë gjithëpërfshirëse”, theksoi Hoxha.

Ndër të tjera, ai kujtoi se OSBE-ja luan një rol thelbësor në adresimin e shumë prej sfidave në axhendën e Këshillit e Sigurimit.

Prandaj, bashkëpunimi dhe partneriteti midis dy organizatave është kuptimplotë dhe duhet të forcohet, shtoi Ferit Hoxha.

Gjatë fjalës së tij, ambasadori shqiptar solli në vëmendjen faktin se situata e sigurisë në zonën e OSBE-së mbetet shumë e pasigurt dhe, që nga viti i kaluar, është vënë në rrezik serioz.

“OSBE-ja ka qenë një platformë e rëndësishme për të diskutuar çështjet që lidhen me sigurinë gjithëpërfshirëse, si dhe masat e besimit dhe ndërtimit të sigurisë. Pavarësisht përpjekjeve aktuale cinike për të minuar dhe zvogëluar rolin e saj, OSBE-ja mbetet po aq e rëndësishme sa në kohën kur u krijua”, garantoi Hoxha.

Mes sfidave me të cilat përballet OSBE-ja, ambasadori shqiptar vërejti gjithashtu se marrëveshja e arritur në Ohër nga Kosova dhe Serbia, me lehtësimin e Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë, “është e përmasave historike dhe duhet të zbatohet pa vonesë”.

Nga ana e tij, kryesuesi i OSBE-së, Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, iu drejtua Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për të reflektuar mbi 30 vitet e bashkëpunimit mes dy organizatave.

“Si OKB-ja dhe OSBE-ja duhet të qëndrojnë së bashku dhe të punojnë me vendosmëri në mënyrat për të promovuar dhe ruajtur paqen, sepse asnjë organizatë nuk mund ta bëjë këtë e vetme. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe mbështetjes reciproke mund të krijojmë një botë të sigurt, të sigurt dhe të begatë për të gjithë”, u shpreh Osmani.

Sipas tij, ndërsa sfidat e sigurisë vazhdojnë të evoluojnë, natyra e bashkëpunimit të OSBE-së me OKB-në gjithashtu duhet të evoluojë.

“Ne duhet të bëhemi më pragmatikë dhe të orientuar drejt veprimit. Në 30 vitet që kanë kaluar, OKB-ja dhe OSBE-ja kanë ndërtuar një marrëdhënie të rëndësishme dhe janë koordinuar shumë ngushtë në aspektin operacional. Ne duhet t’i forcojmë ato marrëdhënie edhe më shumë tani”, shtoi ai.

Osmani ravijëzoi në përmbyllje se “paqja është forca lëvizëse e multilateralizmit dhe është ideali më i çmuar i njerëzimit”.

“Prandaj”, kujtoi diplomati maqedonas, “ne duhet të bashkojmë forcat rreth synimit tonë të përbashkët për paqe. Në fund të fundit, bëhet fjalë për njerëzit”.

OSBE-ja do të shënojë 30-vjetorin e Kornizës së saj për Bashkëpunim dhe Koordinim me OKB-në më 26 maj.

Kjo kornizë e vitit 1993 është përforcuar gjatë dekadave nga një mori marrëveshjesh midis OSBE-së dhe organeve të ndryshme të OKB-së, duke forcuar bashkëpunimi ndërmjet organizatave nga bashkëpunimi politik i nivelit të lartë deri te bashkëpunimi teknik në terren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore