Kosova

Hovenier takohet me Rashiçin: Kthimi në Kosovë i të shpërngulurve, prioritet i lartë për SHBA-të


Jeffrey Hovenier dhe Nenad Rashiç

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, të hënën ka takuar ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, me të cilin ka diskutuar në lidhje me çështjen e personave të shpërngulur nga Kosova e të cilët dëshirojnë të kthehen në shtëpitë e tyre.

“Takim i mirë me Ministrin për Komunitete dhe Kthim. Vlerësojmë përpjekjet e ministrit dhe ekipit të tij për të mbështetur të gjithë ata që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të kthimit në kushte dinjitoze dhe sigurie. Ky mbetet një prioritet i lartë për Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë”, ka shkruar Hovenier në llogarinë e tij.

Rashiç ka thënë javë më parë se në periudhën janar-qershor të këtij viti, duke marrë për bazë të dhënat e Agjencisë për Refugjatë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNHCR), për t’u kthyer në Kosovë kanë aplikuar 145 persona në total, kërkesat e të cilëve janë miratuar nga komisionet përkatëse komunale.

Ministria për Komunitete dhe Kthim nuk ka informacione për numrin e personave që janë larguar nga Kosova në të njëjtën periudhë apo vite më parë, megjithëse ministri Rashiç ka shprehur shpresën se të gjithë personat që janë larguar nga vendi do të kthehen dhe të qëndrojnë përgjithmonë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore