Lajme

Hoti për Kurtin: Në vend se të angazhohet në forcimin e Ushtrisë, kërkon trupa nga Britania


Avdullah Hoti

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, në vend se të angazhohet në rritjen e kapaciteteve të ushtrisë së Kosovës, kërkon që Mbretëria e Bashkuar të dërgojë më shumë trupa në Kosovë.

Këto komente, Hoti i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që Kurti në një intervistë për gazetën britanike “The Telegraph”, njoftoi të ketë kërkuar “disa herë” trupa shtesë në Kosovë edhe para fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

“Në vend që të angazhohet në rritjen e kapaciteteve të ushtrisë së Kosovës sipas planit 10-vjeçar, të ndahet buxheti së paku 2% të Produktit të Brendshëm Bruto, të koordinohet me aleatët për anëtarësimin e Kosovës në NATO, të fuqizoj aleancat me miqtë, të siguroj bashkëpunim vëllazëror me Shqipërinë, kryeministri kërkon nga Britania të dërgojë më shumë trupa në Kosovës për të ndaluar ndonjë sulm të mundshëm të Serbisë”, shkroi Hoti.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndau me gazetën britanike “The Telegraph” të martën, imazhe ajrore që  tregojnë se 48 baza ushtarake të Serbisë janë pozicionuar në afërsi të vijës kufitare për ta sulmuar Kosovën. Ai shtoi se 28 janë baza ushtarake dhe 20 të xhandarmërisë serbe.

Duke theksuar se ekziston një prezencë “simbolike” e NATO-s në Kosovë dhe rrjedhimisht, nuk do të mjaftonte për ta parandaluar pushtimin nga Serbia, kreu i ekzekutivit kosovar kërkoi që Britania e Madhe të dërgojë trupa shtesë për të parandaluar një luftë në Ballkanin Perëndimor.

“Britania e Madhe është pjesë e NATO-s dhe operon në këtë mënyrë. Besoj se duhet të ketë më tepër trupa të NATO-s në Kosovë”, tha ai, duke komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë se shteti serb “do të presë momentin dhe do ta shfrytëzojë mundësinë” për ndërhyrje ushtarake në Kosovë.

Kurti njoftoi të ketë kërkuar “disa herë” trupa shtesë në Kosovë edhe para fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Po ashtu, shtoi kreu i ekzekutivit, një kërkesë e njëjtë u adresua në shtator të vitit të kaluar pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit në veri të Kosovës.

“Besoj se për aq kohë sa Serbia nuk e njeh Kosovën, përderisa Serbia mban 48 baza operative rreth shtetit tonë dhe për aq kohë sa Serbia është aleate e ngushtë e Kremlinit, duhet të ketë më shumë kapacitete nga ana jonë e më tepër trupa të NATO-s”, nënvizoi kryeministri kosovar.

Kurti nxjerr imazhe ajrore që tregojnë se 48 baza serbe janë pozicionuar afër kufirit për ta sulmuar Kosovën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore