Lajme

Kurti nxjerr imazhe ajrore që tregojnë se 48 baza serbe janë pozicionuar afër kufirit për ta sulmuar Kosovën


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndau me gazetën britanike “The Telegraph” të martën, imazhe ajrore që  tregojnë se 48 baza ushtarake të Serbisë janë pozicionuar në afërsi të vijës kufitare për ta sulmuar Kosovën. Ai shtoi se 28 janë baza ushtarake dhe 20 të xhandarmërisë serbe.

Duke theksuar se ekziston një prezencë “simbolike” e NATO-s në Kosovë dhe rrjedhimisht, nuk do të mjaftonte për ta parandaluar pushtimin nga Serbia, kreu i ekzekutivit kosovar kërkoi që Britania e Madhe të dërgojë trupa shtesë për të parandaluar një luftë në Ballkanin Perëndimor.

“Britania e Madhe është pjesë e NATO-s dhe operon në këtë mënyrë. Besoj se duhet të ketë më tepër trupa të NATO-s në Kosovë”, tha ai, duke komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë se shteti serb “do të presë momentin dhe do ta shfrytëzojë mundësinë” për ndërhyrje ushtarake në Kosovë.

Kurti njoftoi të ketë kërkuar “disa herë” trupa shtesë në Kosovë edhe para fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Po ashtu, shtoi kreu i ekzekutivit, një kërkesë e njëjtë u adresua në shtator të vitit të kaluar pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit në veri të Kosovës.

“Besoj se për aq kohë sa Serbia nuk e njeh Kosovën, përderisa Serbia mban 48 baza operative rreth shtetit tonë dhe për aq kohë sa Serbia është aleate e ngushtë e Kremlinit, duhet të ketë më shumë kapacitete nga ana jonë e më tepër trupa të NATO-s”, nënvizoi kryeministri kosovar.

Një zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, duke iu përgjigjur komenteve të kryeministrit Kurti, potencoi se Britania e Madhe vazhdon të ofrojë mbështetje aktive për sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës dhe luan një rol kyç në ruajtjen e stabilitetit në rajon.

“Trupat e Britanisë së Madhe janë aktualisht të dislokuara si pjesë e misionit paqeruajtës prej 4 mijë trupave të NATO-s që gjenden në Kosovë. Misioni i NATO-s kontribuon në ruajtjen e një mjedisi të sigurisë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, deklaroi zëdhënësi britanik.

Ndryshe, rreth 1 mijë ushtarë në kuadër të KFOR-it zbarkuan në vend vitin e kaluar, përfshirë 200 ushtarë britanikë – prezenca më e madhe e NATO-s në dhjetë vitet e fundit – për shkak të paralajmërimeve për mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve dhe cenimit të paqes e sigurisë në rajon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore