Kosova

Hoti: Njohja e pavarësisë nga Izraeli ka hapur dyer të reja për Kosovën


Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullahu Hoti, ambasadorja e Izraelit, Tamara Ziv dhe drejtori për vendet e Ballkanit, ambasadorin Dan Oryan.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullahu Hoti së bashku me anëtarët e grupit të miqësisë Kosovë-Izrael, kanë mbajtur takim me ambasadoren e Izraelit, Tamara Ziv dhe me drejtorin për vendet e Ballkanit, ambasadorin Dan Oryan me të cilët ka diskutuar për arritjet e njohjes së shtetit të Kosovës.

Hoti përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka vlerësuar se njohja e pavarësisë nga Izraeli ka hapur rrugë te reja për Kosovën.

“Njohja e pavarësisë nga Izraeli ka hapur dyer të reja bashkëpunimi midis Republikës së Kosovës dhe Izraelit”.

“Në këtë takim biseduam për arritjet që kemi bërë nga njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Izraeli dhe deri tek arritjet konkrete të njohjes që kanë rezultuar edhe me binjakëzim të komunave”, ka shkruar Hoti.

Sipas Hotit, kjo njohje ka shërbyer në aspekte pozitive për sektor të ndryshëm.

“Njohja nga Izraeli që është bërë gjatë qeverisjes sonë ka hapur dyer të rëndësishme për qytetarët dhe bizneset tona që të shkëmbejnë eksperienca diplomatike, shoqërore, kulturore, arsimore dhe biznesore me një shtet sikur Izraeli”.

“Është fat për Kosovën që ka miqësi me Izraelin”, ka shkruar Hoti.

Më 9 maj, tri memorandume bashkëpunimi ishin nënshkruar në mes të Kosovës dhe Izraelit.

Gjatë vizitës në Izrael, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, si dhe kryediplomati izraelit, Yair Lapid, e pagëzuan bashkëpunimin e parë bilaterale që nga njohja e Izraelit.

Bashkëpunim thuhej se do të ishte në arsim, shkencë e kulturë.

Ndryshe, mungesa e njohjeve të reja për Kosovën nga qeveria aktuale është konsideruar si ngecje në punën e diplomacisë kosovare.

S’ka njohje te reja – “diplomacia kosovare ka dështuar”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore