Vende

Hoteli në Kroaci që po përpiqet të shërojë plagët e luftës


Në Kroaci, Parku Kombëtar i Liqeneve të Plitvicës është një nga atraksionet turistike më të njohura.

Kjo kuptohet kur endesh nëpër shtigjet që të sjellin përqark parkut dhe ujërave me çdo nuancë të së gjelbrës dhe blusë.

Megjithatë, qëndrimi në zonë mund të jetë më pak romantik se pamja.

Tre hotele me pamje të vjetruar rrethojnë hyrjen e parkut, ndërsa kampingjet përgjatë autostradës kryesore strehojnë fluksin e vazhdueshëm të turistëve.

15 minuta me makinë për në lindje, në fshatin Ličko Petrovo Selo, një mundësi e re befasuese akomodimi është shfaqur kohët e fundit.

Shëtitja në fshatin e vogël të ballafaqon me ndërtesa të rrënuara, kujtime të një të shkuare më pak të qetë. Prandaj duket e çuditshme që Hotel Lyra të jetë pozicionuar pikërisht aty.

Hoteli i sapondërtuar me 58 dhoma synon jo vetëm t’u ofrojë miqve një vend të përmirësuar për të fjetur, por gjithashtu të përmirësojë komunitetin përreth.

Ky i fundit ka mbetur i plagosur nga lufta në Ballkan e viteve ‘90 dhe shpërbërja e ish-shtetit jugosllav.

“Projekti është fëmija im”, ka thënë menaxherja e përgjithshme e hotelit, Andreja Černevšek.

“Pashë nevojën për një hotel me cilësi të mirë në zonë dhe binda pronarin e Happy Tours, Sašo Krumpak, që të ndërtonim një të tillë”, ka shtuar ajo.

Kërkimi e solli në Ličko Petrovo Selo.

“U trondita nga gjendja e fshatit, shpejt u bë e qartë se planet tona për një hotel do të duhej të përfshinin rigjenerimin e fshatit”, ka thënë ajo.

Sanja Bubalo, menaxhere e shitjeve të hotelit, ka treguar se, më shumë se çdo gjë tjetër, ata dëshirojnë të jenë fqinjë të mirë.

Projekti i parë ishte të ndihmonte në restaurimin e shtëpisë ende të dëmtuar të çiftit të të moshuarve që jetonin në vendin fqinj që nuk kishin burime për ta bërë vetë.

Deri më tani, hoteli ka punuar për të rinovuar 10 ndërtesa dhe njerëzit janë kthyer për të jetuar në disa prej tyre.

Pjesa më e madhe e fshatit u dogj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe megjithëse u rindërtua në vitet 1970, ai ende po rimëkëmbet nga konflikti në vitet 1990.

Kjo pjesë e Kroacisë ka një histori të gjatë konflikti.

Teksa Liqenet e Plitvicës janë parku kombëtar më i vjetër dhe më i madh i vendit i hapur në vitin 1949, ai ishte gjithashtu vendi i një prej akteve të para të agresionit midis kroatëve dhe serbëve në shpërbërjen e Jugosllavisë.

Dhe kjo zonë dëshmoi beteja gjatë gjithë kohës që pasoi lufta. Si pasojë, shumë banorë u larguan dhe nuk u kthyen më.

Dikur një komunitet i lulëzuar i përbërë kryesisht nga serbët etnikë, Liçko Petrovo Selo tani ka vetëm disa qindra fshatarë, shumë prej të cilëve janë më shumë se 80 vjeç.

Sonja Leka, një aktiviste sociale lokale, ka treguar se disa ndërtesa janë në pronësi të njerëzve që tani jetojnë jashtë vendit, duke pushuar herë pas here atje.

Kurse tjerat janë të braktisura plotësisht.

Ajo ka qenë mes 250 mijë refugjatëve të zhvendosur nga Kroacia në vazhdën e fushatës së operacionit të ushtrisë kroate.

“Në vitin 1995, unë dhe familja ime ikëm për të shpëtuar jetën tonë”, ka treguar ajo.

Kur u kthye në shtëpi në vitin 2002, ajo pati vështirësi për të gjetur punë pavarësisht nga arsimimi universitar. “Ka diskriminim indirekt ndaj serbëve. Shpesh dukemi të harruar”.

Sakaq, hoteli synon të bashkojë komunitetin etnikisht të larmishëm dhe ky proces fillon me politikën e tij të personelit dhe bashkëpunimin me vendasit.

Po ashtu përpiqet të trajnojë banorë të rinj, si Rukavina, e cila është një nga vetëm pesë fshatarët gjatë gjithë vitit nën moshën 25 vjeç.

Mysafirët gjithashtu mund të mësojnë për të kaluarën e qytetit nga brezat e vjetër që e kanë jetuar atë.

Hotel Lyra është ndërtuar në vendin e ish-shkollës fillore ku më herët ka pasur qindra nxënës që e ndiqnin.

“Kur jetoja këtu në vitet 1990, kishte fabrika, dyqane dhe një bazë ajrore – ishte një vend i frekuentuar, plot me njerëz të të gjitha moshave”, ka kujtuar Leka.

Mbetjet e kompleksit të aeroportit Zeljava, të ndërtuara gjatë viteve 1950 dhe 1960, janë gjithashtu afër. Atje mund të shohësh një aeroplan të braktisur Douglas C-47B Dakota, një bazë ajrore të papërdorur dhe aeroportin pjesërisht të shkatërruar.

Leka, me shqetësimin se kultura dhe traditat lokale po shuheshin, në vitin 2004 themeloi Shoqatën e Komunitetit Tara, duke bashkuar gratë e fshatit për të ndarë dhe përcjellë aftësitë e tyre të thurjes.

Produktet vendase mund të gjenden gjithashtu në restorantin e Lyra-s.

Pjesa më e madhe e ushqimit merret nga fermat familjare në zonë dhe kuzhinierët vendas përgatisin receta shtëpiake për mysafirët. Dhe kjo është vetëm një mënyrë se si hoteli po adreson misionin e tij të qëndrueshmërisë.

Kështu, ekipi i hotelit shpreson të krijojë një lidhje më të thellë jo vetëm me vizitorët, por me historinë dhe të ardhmen e zonës.

“Duam që mysafirët tanë të kuptojnë vendin unik ku po qëndrojnë”, ka thënë Bubalo.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore